Hallet pas divorcit. Baballarët ankohen se ish-gratë i ndajnë edhe nga fëmijët

16/11/2016 00:00

Zgjidhja e martesës, shoqëruar me përcaktimin e kujdesit për fëmijët dhe ndarjen e pasurisë, nuk është fundi i kalvarit të gjyqeve mes të divorcuarve. Një dukuri që është shtuar kohët e fundit janë edhe proceset, kësaj radhe penale, për marrje të padrejtë të fëmijës.

Bëhet fjalë për akuza që kryesisht baballarët ngrenë ndaj ish-bashkëshorteve të tyre që nuk i lejojnë të takojnë fëmijët ose që largohen jashtë vendit pa patur një adresë të saktë. Ndonëse legjislacioni shqiptar e ka parashikuar këtë si vepër penale në nenin 127 të Kodit Penal, dispozita në fjalë sanksionon vetëm dënimin e njërit prind, që varion nga gjobë deri në 6 muaj burgim, por jo zgjidhjen e problemit.

Avokatja Blerina Dodaj shprehet: “Dispozita parashikon sankionimin e dënimit për prindin që ka shkelur vendimin e gjykatës për kujdestarinë e fëmijës, por nuk zgjidh problemin, që është realizimi i takimit me prindin që i është mohuar kjo e drejtë”.

Madje, edhe pas 2 viteve kërkimi dhe nxjerrjes së urdhërit të ekzekutimit të vendimit penal, sërish njëri prind nuk ka mundur dot të takojë fëmijët e tij. Ndërsa vepra, për shkak të masës së ulët të dënimit, parashkruhet shpejt, pa dhënë asnjë efekt.

“Kemi një rast që edhe pse i kemi bërë të gjitha përpjekjet ligjore, sërish prej dy vitesh babai i fëmijëve nuk e di se ku ndodhen fëmijët e tij apo ish-bashkëshortja e tij”, tregon avokatja.

Sipas avokates, shtimi i këtyre rasteve ndikohet nga konfliktualiteti nga njëra anë mes dy ish-bashkëshortëve që divorcohen, por edhe nga procedurat e stërzgjatura në gjykatë për të bërë legjitim largimin e njërit prind së bashku me fëmijët: “Ka një kohë të konsiderueshme për hedhjen e shortit, për daljen e datës për gjyqin, provat që duhet të merren në shqyrtim dhe i bie më gjatë edhe se procesi për zgjidhjen e martesës”.

Top Channel