Dashuria rikthen fëmijën

16/11/2016 00:00

Ky fëmijë i vogël, që 18 muajt e parë të jetës së tij u rrit në shtëpinë e foshnjes “Hana dhe Rozafa”, i është bashkuar me familjen e tij biologjike. Nëna e tij, e cila ende nuk i ka mbushur të 35-t, ka vendosur ta rikthejë djalin e vogël në shtëpi, pranë 3 fëmijëve të tjerë të saj.

“E solla këtu që ditën e parë të lindjes. Nuk kisha mundësi ekonomike që ta mbaja”, tregon gruaja.

Emri i nënës është Dashuri, por duket se kjo nuk e ka shoqëruar në jetë, pasi ajo është divorcuar nga bashkëshorti para se të mbetej shtatzënë, ndonëse të katërt fëmijët i ka me të njëjtin baba.
 
“Nuk i thashë që isha shtatzënë sepse ai nuk do ta pranonte. Nuk donte të jetonte me mua dhe u ndamë. Nuk e linin prindërit që të rrinte me mua dhe vendosi që të rrinte me prindërit”, thotë Dashuria.

E gjendur në vështirësi ekonomike, e vetme me tre fëmijë të tjerë, Dashuria ndërmori këtë hap me shpresën se një ditë do të siguronte të ardhura mjaftueshëm për t’i rritur fëmijët e saj.
 
“Ku ka nënë që nuk do të mbajë fëmijën? Por nuk kisha çfarë të bëja. Që në momentin që e lashë, i thashë që do e merrja sërish fëmijën. Tani punoj pastruese”, shprehet gruaja.

Por, si ky fëmijë i vogël ka disa në shtëpinë e foshnjes, të braktisur ose jo, për të cilët Ministria e Mirëqenies Sociale po përpiqet që nëpërmjet deinstitucionalizimit të mund të krijojë lehtësira që secili prej tyre të ketë një familje qoftë dhe kujdestarie.

Top Channel