Korrupsioni, Çuçi: Raporti i TI, inkurajim për qeverinë. Jetike reforma

16/11/2016 00:00

Për të folur më shumë në lidhje me raportin e Transparency International për korrupsionin, në studion e lajmeve të Top Channel ka qenë ministri i Shtetit, përgjegjës edhe për anti-korrupsionin, zoti Bledi Çuçi.

Top Channel: Zoti Çuçi, sondazhi i Transparency International mund të jetë disi inkurajues për qeverinë, por jo për vendin. Njerëzit janë të bindur se korrupsioni mbetet ende endemik

Bedi Çuçi: Mendoj se pa diskutim që për qeverinë është një inkurajim i drejtëpërdrejtë, sepse në raport jepet qartë që sa i takon përpjekjeve që ekzekutivi bën për të luftuar korrupsionin, Shqipëria renditet e pesta, duke kaluar shumë shtete të BE-së, vendet e Azisë dhe ato të rajonit. Kështu që për qeverinë ky raport është një konfirmim i përpjekjeve të saj. Lajmi i mirë është se ky konfirmim vjen nga qytetarët, pasi raporti bazohet në perceptimet e tyre. Ne e kemi thënë që përpjekjet tona janë maksimale, por lufta ndaj korrupsionit është pjesë edhe e shoqërisë civile, medias dhe e institucioneve të tjera të pavarura, si prokuroria, gjykatat, etj. Për fat të keq, raporti konfirmon sërish se sa i takon drejtësisë, shqiptarët janë skeptikë dhe të mendimit se ka nivelin më të lartë të korrupsionit. Prandaj po bëjmë një reformë rrënjësore për sistemin e drejtësisë. Është çështje kohe që kjo reformë të fillojë zbatimin. Gjithashtu jemi në përpjekje për të modernizuar strukturat e qeverisë për të parandaluar korrupsionin, për të rritur forcën goditëse dhe për të hequr frikën e denoncimit të korrupsionit.

Top Channel: Përtej sondazheve dhe perceptimeve, mbetemi një vend me pandëshkueshmëri të lartë të veprave korruptive. Thoni se tani është më e lehtë të denoncosh korrupsionin, po përse duhet ta denoncojmë diçka që më pas nuk dënohet?

Bledi Çuçi: Edhe ky është një problem dhe ndoshta forca denoncuese bie për këtë shkak. Prandaj ka rëndësi reforma në drejtësi, pasi ajo e adreson këtë gjë. Me krijimin e një prokurorie speciale dhe procesin e vetting-ut unë them se edhe ky shqetësim i madh i shoqërisë shqiptare do adresohet drejtëpërdrejtë dhe se do të kemi rezultate pas impelmentimit të reformës në drejtësi.

Top Channel: Zoti Çuçi, ju faleminderit për praninë tuaj.

Bledi Çuçi: Faleminderit juve për ftesën.

Top Channel