Gjyqtari Kalaja: Kushtetuesja të fliste vetë për Vetting-un

16/11/2016 00:00

Në kohën kur ligji për “Vetting”-un është i pezulluar derisa të ketë një përgjigjje nga Komisioni i Venecias, gjyqtari Florjan Kalaja mendon se drejtësia shqiptare duhet të ishte shprehur vetë për problemet që ka ligji.

“Edhe pa marrë opinionin e Komisionit të Venecias, por duke vlerësuar ligjin “ex catedra”, në një mënyrë doktrinare, në pikëpamjen kushtetuese, qoftë edhe duke iu përmbajtur jurisprudencës së vet, Gjykata Kushtetuese i ka të gjitha burimet njerëzore dhe hulumtuese për të vlerësuar nëse ky ligj bie në kundërshtim me Kushtetutën apo jo”, shpjegon Kalaja.

Gjyqtarët, përmes unionit që i përfaqëson, konsiderojnë si handikap nga njëra anë ngritjen e tre organeve që do të rivlerësojnë pasurinë, figurën dhe aftësitë e gjyqtarëve e prokurorëve dhe nga ana tjetër zhvendosjen e kompetencave për mbledhje informacioni dhe dokumentash, mes të tjerash edhe tek ILDKPI.

Vlerësohet gjithashtu si tepër i kufizuar afati 30-ditor brenda të cilit duhet të dorëzohet dokumentacioni, në të kundërt parashikohet shkarkimi.

“Gjithë kjo punë voluminoze për të hulumtuar mbi dokumentacionin dhe për të administruar institucionet ku ne duhet t’i dorëzojmë, është e pamundur të mbarojë në 21 ditë pune. Kështu që, mendoj se është vënë një lloj barre e paarsyeshme në ngarkim të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, deklaroi Kalaja.

Gjyqtari i Gjykatës së Vlorës, Florjan Kalaja, i emëruar së fundmi si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë, shton se megjithëse ligji është i pezulluar, gjyqtarët po mbledhin dokumentacionin, por pa e ditur se çfarë do të ndodhë më tej.

Top Channel