“80 lekësha” për 80 punëtorë, qeveria miraton strukturën e “sinjalizuesve”

16/11/2016 00:00

Çdo institucion publik me më shumë se 80 punonjës do të ketë një strukturë të posaçme për të mbledhur dhe shqyrtuar informacionet për korrupsion.

Qeveria ka miratuar një vendim, i cili përcakton se kjo njësi do të ketë të paktën 2 persona, njëri prej të cilëve është drejtuesi i Departamentit të Auditimit të Brendshëm.

Sipas vendimit, ngritja e njësive të sinjalizuesve në institucionet publike do të vëzhgohet nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Qeveria do të detyrojë drejtuesit e çdo institucioni publik që menjëherë pas hyrjes në fuqi të vendimit të emërojnë dy punonjësit përkatës të njësisë së sinjalizimit.

Pas emërimit ata duhet të njoftojnë me shkrim inspektorin e përgjithshëm të Deklarimit të Pasurive për krijimin e njësinë përgjegjëse, së bashku me kontaktet e saj.

Njësia përgjegjëse e sinjalizimit do të ketë pavarësi të plotë për të shqyrtuar çdo informacion për korrupsion apo abuzim që vjen nga sinjalizuesit. Këta të fundit mund të jenë punonjës të institucionit, ish-punonjës apo persona të jashtëm.

Qeveria synon që përmes kësaj mase të forcojë luftën kundër korrupsionit në sektorin publik dhe të minimizojë abuzimet e fondeve publike.

Top Channel