Francë, Le Pen bëhet gati për fushatë: Lëvizje botërore kundër globalizmit

16/11/2016 00:00

Marine Le Pen inauguroi selinë e saj të fushatës për zgjedhjet e 2017-s në Francë dhe prezantoi simbolin e ri të partisë, trëndafilin blu.

Kandidatja presidenciale e ekstremit të djathtë u shpreh se lëvizja mbarëbotërore kundër globalizmit dhe ultra-liberalizmit po fiton terren edhe në Francë.

Liderja e Frontit Nacional u tha francezëve se zgjedhja e saj presidente vitin e ardhshëm do të formonte bashkë me Donald Trump dhe Vladimir Putin një treshe udhëheqësish që do të ishte tejet pozitive për “paqen nëpër botë”.

48-vjeçarja Le Pen ishte e vetmja lidere politike franceze që mbështeti Trump në presidencialet e Amerikës.

“Ka një lëvizje mbarëbotërore aktualisht, një lëvizje që refuzon globalizmin e shfrenuar, liberalizmin destruktiv, eleminimin e shteteve sovrane, zhdukjen e kufijve. Forcat shtytëse në zgjedhjet që kemi parë janë idetë, forcat që mund të sjellin edhe caktimin tim si presidente e Francës në muajin maj”, deklaroi Le Pen.

Fronti Nacional ka marrë krahë nga triumfi i Donald Trump dhe vota e britanikëve për shkëputje nga Bashkimi Europian dhe shpreson që një valë e ngjashme euforie kundër establishmentit t’i sjellë dhe atij fitoren në zgjedhjet e vitit që vjen.

Sondazhet e opinionet tregojnë se Le Pen do t’ia dalë deri në raundin e dytë, por pastaj do të humbasë përballë kandidatit të qendrës së djathtë.

Anketimet megjithatë rezultuan të gabuara si në rastin e Brexit-it, ashtu dhe në atë të Trump, e kjo vazhdon t’i ushqejë shpresat e Le Pen.

Top Channel