Rusia refuzon statutin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale

16/11/2016 00:00

Rusia e hoqi zyrtarisht firmën e saj nga statuti themelues i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, një ditë pasi kjo e fundit publikoi një raport i cili e klasifikonte aneksimin e Krimesë si “pushtim”.

Refuzimi që Moska i bën gjykatës në fjalë, edhe pse simbolik, përbën një grusht të ri ndaj përpjekjeve për vendosjen e një rendi ligjor global në gjurmimin e genocidit, krimeve të luftes dhe krimeve kundër njerëzimit.

Muajt e fundit, tre shtete afrikane, anëtare me të drejta të plote të ICC-së, Afrika e Jugut, Burundi dhe Gambia, paralajmëruan tërheqjen nga organizmi ndërkombëtar. Shkak i kësaj lëvizjeje janë bërë ankesat se çështjet penale të ICC-së janë fokusuar së tepërmi në kontinentin afrikan.

Njoftimin e saj Rusia e bëri përmes Ministrisë së Jashtme, me urdhër të presidentit Vladimir Putin. Gjykata, thuhet aty, dështoi të përmbushte pritshmëritë e komunitetit ndërkombëtar dhe ka punuar në mënyrë të njëanshme dhe joefikase.

Statutin e Romës, Rusia e firmosi në vitin 2000 dhe bashkëpunoi me gjykatën, por traktatin nuk e kishte ratifikuar duke mbetur kështu efektivisht jashtë juridiksionit të ICC-së.

Kjo do të thotë se veprimi i saj i fundit, ndonëse i ngarkuar me simbolizëm, në praktikë nuk ndryshon ndonjë gjë të madhe. Megjithatë, ai sërish dëshmon qartë se bashkëpunimin e Moskës, gjykata me seli në Hagë tani nuk do ta ketë më.

Top Channel