Obama viziton Akropolin, pritet të komentojë çështjen e borxhit grek

16/11/2016 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama vizitoi një nga simbolet e Antikitetit grek, Akropolin. Duke hequr petkun e një veshjeje zyrtare, si një turist i thjeshtë ai vizitoi monumentin, ku u shoqërua nga një cicerone.

Në vijim, presidenti Barack Obama pritet të mbajë një fjalim për çështjen e borxhit grek. Por udhëtimi dyditor në shtetin helen i shefit të Shtëpisë së Bardhë u prit me protesta. Forcat speciale greke përdorën gazin lotsjellës për të shpërndarë rreth 3.000 demonstrues të krahut të majtë, të cilët shprehën zemërimin e tyre ndaj Barack Obamës. Ata u përpoqën të kalonin me forcë të gjithë perimetrin e rrethuar nga policia.

Të paktën 4 persona përfunduan në pranga dhe një grua pësoi lëndime nga përleshjet. Në udhëtimin e lamtumirës, Obama pritet të vizitojë Berlinin, ku do të takohet me Kancelaren gjermane Angela Merkel.

Ndërsa në Peru, ai do të takohet me presidentin kinez Xi Jinping dhe udhëheqës të tjerë të Paqësorit, në një samit ekonomik.

Top Channel