KE vlerëson rritjen ekonomike: Shqipëria, ecuri të mirë

16/11/2016 00:00

Pas Fondit Monetar Ndërkombëtar, edhe Komisioni Europian ka dhënë vlerësime pozitive për ecurinë e ekonomisë shqiptare gjatë këtij viti.

“Megjithëse ambienti i jashtëm ishte sfidues, rritja reale e prodhimit kombëtar ishte 2.8 për qind vitin e kaluar dhe u përshpejtua më tej në tremujorin e parë të 2016-s”.

Por Komisioni i kërkon qeverisë të vazhdojë politikën e uljes së borxhit, për të reduktuar rreziqet e financave publike dhe ekonominë kombëtare.

Pas vitit 2011, borxhi publik ka ardhur në rritje duke kapërcyer mbi 70 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB). Kjo shifër mbetet më e lartë se vendet e tjera, megjithatë, këtë vit borxhi pritet të bjerë.

Sipas Komisionit, falë edhe bashkëpunimit me Fondin Monetar, dy vitet e fundit Shqipëria ka ndërmarrë një sërë masash për të përmirësuar qeverisjen fiskale dhe ulur rreziqet në ekonomi.

“Në qershor të vitit 2014 u miratua një rregull fiskal, i cili detyron qeverinë të ulë borxhin vit pas viti, deri në 45 për qind të prodhimit kombëtar”.

Por veç borxhit, një tjetër burim rreziku sipas raportit mbetet niveli i lartë i kredive të këqija, i cili frenon bankat të japin kredi. Për këtë, Komisioni iu kërkon autoriteteve të vazhdojnë zbatimin e planit kombëtar për uljen e kredive të këqija dhe të inkurajojnë përdorimin më të madh të lekut në sistemin financiar.

Top Channel