Imamët kërcënojnë pas hekurave: Zullumqarët po qeshin tani, por do qajnë më vonë

16/11/2016 00:00

Ndaj mbështetësve të nëntë të pandehurve për çështje terrorizmi, të cilët ndjekin procesin në Apelin e Krimeve të Rënda ndaj të ashtuquajturve “imamët, si në çdo seancë tjetër kanë vijuar kontrollet e rrepta sipas një plani masash që zbatohet posaçërisht gjatë ditëve që zhvillohet gjyqi.

Të shpallur fajtorë dhe të dënuar me 126 vite burg në total për rekrutim të shqiptarëve që janë dërguar prej tyre në luftimet në Siri, të akuzuarit vijojnë të mos e njohin gjykatën shqiptare edhe dy vjet pas arrestimeve.

Në procesin me dyer të mbyllura, vetëm Verdi Morava u ngrit në këmbë gjatë apelit të gjykatës, ndërkohë që të tjerët lëshuan apel tek mbështetësit duke thënë se do të ketë gjykim sipas ligjeve të Allahut.

Fadil Muslimani, i dënuar me 12 vjet burg, u tha gjyqtarëve se “kot kam ardhur, këtu komandon Mossadi”. Më pas ai iu drejtua mbështetësve duke u thënë se “zullumqarët do qeshin tani, por do qajnë më vonë”.

Deklaratat e tyre konsiderohen si mesazhe për të tjerë persona jashtë sallës, aq më tepër që nga përgjimet telefonike edhe brenda në burg, rezulton se të pandehurit vijojnë të flasin me telefon me të dyshuar që ndodhen në luftime pranë ISIS-it në Siri.

Pas arrestimit të katër personave në Shkodër, pasi dyshohet se po planifikonin të sulmonin stadiumin ku do të luhej ndeshja Shqipëri-Izrael, antiterrori dhe Shërbimi Informativ vijojnë të jenë në gatishmëri jo vetëm në disa qytete ku dyshohet se qëndrojnë bashkëpunëtorët e tyre, por edhe në disa burgje ku mbahen elemente me prirje radikale.

Top Channel