Administrata “Trump”, presidenti i zgjedhur mbron kandidatët për postet kyçe

16/11/2016 00:00

Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka mbrojtur politikën e tij të ndryshimeve, që po ndodhin në ekipin e tranzicionit. Në një status në “Twitter”, ai ka bërë me dije se procesi i zgjedhjeve në kabinetin e tij dhe në postet e tjera janë tepër të organizuara.

Mediet amerikane flasin për emërime të reja, shkarkime dhe spostime pozicionesh. Në krye të procesit të tranzicionit është Mike Pence, i cili zëvendësoi guvernatorin e New Jersey, Chris Christie.

Në krye të listës së tij për poste të larta ekonomike janë Steve Mnuchin, ish-shef i Financave të fushatës, i cili merr postin e Sekretarit të Thesarit, si dhe miliarderi e investitori Wilbur Ross, që emërohet në postin e Sekretarit të Tregtisë.

Por për zëvendësimet e reja u desh të largohej Mike Rogers, i cili ndër të tjerash ishte përfolur edhe si drejtori i ardhshëm i CIA-s, si dhe Mattheë Freedman, një profesor i Universitetit të Kalifornisë.

Mike Rogers dhe Freedman, në fakt besohen se ishin krahët e djathtë të Chris Christie, i cili u zëvendësua ditën e premte nga Mike Pence. Gjërat duket se lidhen zinxhir. Burime të afërta me ekipin e Trumpit thonë se, ai po lëviz nga postet të gjithë lobistët.

Por ka edhe nga ata, që bëjnë një lidhje tjetër. Bashkëshorti i vajzës së Donald Trumpit, njëkohësisht edhe këshilltari i ngushtë i republikanit Trump, Jared Kushner qëndron pas ndryshimit të postit kryesor në ekipin e tranzicionit, nga morën udhë edhe emërimet e reja.

Chris Christie ishte prokuror i Përgjithshëm i New Jersey, kur babai i Kushnerit u gjykua dhe u burgos në këtë shtet për evazion fiskal, kontribute të paligjshme në fushatë dhe ndërhyrje te dëshmitarët në vitin 2004. Por Donald Trump u përpoq të shuante të gjithë zërat, duke thënë se ai ishte i vetmi që e dinte se kush ishin finalistët.

Top Channel