Ish-prezantuesi i “Top Gear” nuk lejohet të hipë në avion

16/11/2016 00:00

Një punonjës i Aeroportit të Shtutgartit nuk ka lejuar Jeremy Clarksonin të ngjitet në avionin me destinacion Britaninë e Madhe, për shkak të asaj që raportohet të jetë një speciale e emisionit “Top Gear”.

Ish-prezantuesi i “Top Gear” deklaroi se punonjësi i aeroportit, Manuel Pereira, i kishte thënë se ishte nga Argjentina në momentin kur e pengoi atë të ngjitej në bordin e avionit gjatë së hënës.

Specialja e “Top Gear” e zhvilluar në Argjentinë shkaktoi protesta masive për shkak të targës së një automjeti, që i referohej ishujve Falklands, pjesë e mosmarrëveshjeve dhe luftës mes vendit amerikanolatin dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Një zëdhënës i Aeroportit të Shtutgartit tha për BBC-në se Clarkson dhe ekipi i tij kishin humbur disa thirrje për fluturimin e tyre. Ai shtoi më pas se pjesa tjetër e ekipit ishte ngjitur në bordin e avionit, por:

“Për shkak të politikës së linjës së fluturimit, pas një periudhe të caktuar kohe që një pasagjer nuk shfaqet, atëherë valixhja e tij nxirret nga avioni dhe pasagjeri hiqet nga lista e udhëtarëve. Nga ky moment, nuk ka më asnjë mundësi që ai të hipë në avion, edhe nëse shfaqet në momentin e fundit”.

Përfaqësuesi në fjalë tha se incidenti do të hetohet nga kompania partnere “S.Stuttgart Ground Services”, ndërkohë që sjellja personale – siç përshkruhet në “The Sun”, – “nuk përputhet me qasjen tonë në shërbimin ndaj klientëve në Aeroportin e Shtutgartit”. Madje, ai shtoi se “nga sa dimë ne, punonjësi i përmendur është spanjoll dhe jo argjentinas”.

Sipas asaj që bën të ditur “The Sun”, Clarkson ishte duke pritur për t’u rikthyer në Britani së bashku me ish-prezantuesit e tjerë, James May dhe Richard Hammond, kur ndodhi incidenti në fjalë.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel