Çerek milard euro për rrugët, Dervishaj: Të mbarojmë akset e nisura nga PD

16/11/2016 00:00

Qeveria ka planifikuar 17.6 mld lekë për të mbyllur kantieret e ndërtimit në rrugë, duke mos parashikuar asnjë projekt për rrugë të reja.

“Ajo që kam për qëllim, jo unë por Ministria e Transportit, është të përfundojmë rrugët e nisura në kohën e Partisë Demokratike. Pa dyshim që po, sepse duhet të kishin mbaruar që në kohën e PD”, deklaroi ministri i Transporteve, Sokol Dervishaj në komisionin parlamentar të ekonomisë.

Nga kjo shumë, 9.9 mld janë financim i brendshëm, kurse 7.7 mld lekë vijnë nga burime të jashtme të financimit. Por ministri i Transportit tha se vetëm disa prej këtyre projekteve do të arrijnë të mbyllen brenda vitit që vjen.

Rrugët që do të përfundojnë:
Tiranë-Elbasan
Lin-Pogeradec
ByPass i Fierit
Unaza e Madhe

Ministri Dervishaj tha se rruga e Arbrit do të ndërtohet nga një kompani private shqiptare. “Ka pushuar se ekzistuari marrëdhënia me kompaninë kineze. Ka një ofertë nga një kompani shqiptare që ka pak a shumë parametrat teknikë të diskutuara me kompaninë kineze, por me një ofertë financiare shumë më të favorshme”, tha Dervishaj.

I pyetur nga deputeti i LSI, Robert Bitri mbi shpërndarjen e financimit për ndërtimin e rrugëve, Dervishaj kërkoi përqëndrimin e këtyre fondeve nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Fondi i Zhvillimit të Rajoneve tek Ministria e Transportit.

Top Channel