SHBA, dorëhiqet kryebashkiakja që përshëndeti komentin racist ndaj Michelle Obamës

16/11/2016 00:00

Kryebashkiakja e një qyteze të vogël në shtetin amerikan të West Virginias ka dhënë dorëheqjen, pasi është përfshirë në një polemikë mbi komentet raciste të bëra në lidhje me Michelle Obamën.

Beverly Whaling është kapur teksa përshëndeste apo mirëpriste një postim në rrjetin social “Facebook”, ku Zonja e Parë Michelle Obama cilësohej si “një majmun mbi taka”.

Ajo i përgjigjej atij postimi me një koment “ma gjallërove ditën”, por më pas u justifikua se e kishte fjalën për rezultatin e zgjedhjeve. Një peticion i nënshkruar që kërkonte dorëheqjen e saj mblodhi mbi 170 mijë firma.

Whaling ishte kryebashkiake e qytezës Clay, e cila ka një popullsi prej vetëm 491 banorësh. Në këtë qytezë nuk ka banorë afrikano-amerikanë, sipas censusit të vitit 2010. Në Clay County, më shumë se 98 për qind e banorëve janë të bardhë.

Whaling i ishte përgjigjur një postimi të bërë nga Pamela Ramsey Taylor, një banore lokale e cila drejtonte një grup jofitimprurës. “Kemi të bëjmë me një rifreskim, tashmë do të kemi një Zonjë të Parë me klas, të bukur dhe të denjë në Shtëpinë e Bardhë. Jam lodhur teksa shihja një majmun mbi taka”, shkruante Taylor. Edhe drejtuesja e kësaj organizate nuk është më e tillë, pasi është detyruar të largohet nga posti.

Edhe pse Clay County është një qytezë me popullsi të vogël, buja e madhe e postimit në “Facebook” u përhap shumë më tepër nga sa ishte parashikuar.

Whaling, sigurisht që kërkoi ndjesë në mediat lokale, duke thënë se komenti i saj nuk kishte për synim të ishte racist. “Iu referova ndryshimit në Shtëpinë e Bardhë. Më vjen vërtet keq për tronditjen që kam shkaktuar. Ata që më njohin, e dinë mirë që unë nuk jam aspak raciste”.

Top Channel