Ngacmoi seksualisht të miturën, arrest me burg për 34-vjeçarin

16/11/2016 00:00

Gjykata e Durrësit ka vendosur masës arrest me burg për 34-vjeçarin Ilir Çullhaj, i cili u arrestua dy ditë më parë për vepra të turpshme me të mitur.

Seanca për vlerësimin dhe caktimin e masës së sigurisë ndaj 34-vjeçarit, të martuar dhe baba i një fëmije të mitur, u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së ngjarjes.

Në sallën e gjyqit, ku ka qenë e pranishme dhe e shoqja e familjarë të tjerë, Ilir Çullhaj me banim në Durrës ka pranuar se i ka dhënë një letër një 12-vjeçareje nga Durrësi, në të cilën kishte shkruar numrin e tij të celularit dhe fjalë të turpshme, si dhe ka tentuar ta marrë atë në makinën e tij.

Gjyqtari Rexhep Bekteshi e ka vleftësuar të ligjshëm arrestimin në flagrancë të Çullhajt dhe e ka lënë atë në masën shtrënguese “arrest me burg”, ndërsa me kërkesën e prokurorisë u vendos që të bëhet gjykim i drejtpërdrejtë i çështjes penale në ngarkim të 34-vjeçarit.

Kodi ynë penal parashikon dënimin me burgim nga 3 gjer në 7 vjet për personat që kryejnë vepra të turpshme me të mitur që nuk kanë arritur moshën 14 vjeç.

Top Channel