“Mesnata”, pranga hajdutit të lopëve dhe viçave

16/11/2016 00:00

Një person ka përfunduar në prangat e Policisë së Kavajës dhe një tjetër është shpallur në kërkim pasi dyshohen si autorë të një sërë vjedhjes të gjësë së gjallë të ndodhura në disa zona të vendit.

Ektor Loka, 35 vjeç, banues në Tiranë u ndalua pas operacionit të koduar “Mesnata”, ndërsa shtetasi me inicialet A.P., 48 vjeç, është shpallur në kërkim nga ana e uniformave blu.

Dyshohet se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë autorë të gjashtë vjedhjeve të ndodhura në Vorë, Durrës dhe Rrogozhinë. Objektivi i tyre ishte gjëja e gjallë, kryesisht lopë dhe viça.

Gjatë arrestimit në flagrancë shtetasit Ektor Loka, iu sekuestrua automjeti tip furgon “Mercedes Benz” me të cilin ai po transportonte dy lopë dhe një viç, të cilat ia kishte vjedhur shtetasit C. H., dy aparate celuar dhe shuma monetare prej 60.000 lekë.

Policia thotë se ka të dokumentuar gjashtë grabitje ndaj këtyre dy personave, ndërkohë që ata besohet se qëndrojnë edhe pas dy grabitjeve të tjera të ngjashme në zonën e Durrësit.

Top Channel