SHBA, Rudy Giuliani, favorit për Sekretar të Shtetit

15/11/2016 00:00

Ekipi i Donald Trumpit ka lënë të kuptohet se ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut mund të bëhet së shpejti kryediplomat i Shteteve të Bashkuara, teksa vijon “beteja” për emërimet në postet e administratës së re presidenciale.

Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut është bërë kandidatura kryesore për të qenë Sekretar Shteti nën drejtimin e presidentit Trump. 72-vjeçari, i cili u bë hero kombëtar pas sulmeve të 11 shtatorit, ka qenë më herët edhe një kandidaturë e mundshme për Prokuror të Përgjithshëm.

“Emri i tij është përmendur seriozisht në lidhje me postin e Sekretarit të Shtetit, një detyrë për të cilën ai është i kualifikuar dhe që mund ta kryejë jashtëzakonisht mirë”, tha Kellyanne Conëay, menaxher i fushatës së Trumpit, për “Fox News”.

John Bolton nga ana tjetër, një ish-ambasador i SHBA-ve në Kombet e Bashkuara, është emri tjetër i lakuar për këtë post të rëndësishëm.

Trump, i cili mori edhe njoftimet e para si president nga agjencitë e kundërzbulimit, këtë të martë, vijon të qëndrojë në kullën e tij në Manhattan të Nju Jorkut, së bashku me zv.presidentin Mike Pence, teksa përpiqen të përpilojnë kabinetin e tyre të ri.

“John do të ishte një zgjidhje shumë e mirë”, tha Giuliani ditën e hënë. I pyetur nëse ekzistonte dikush më i mirë sesa Bolton për atë post, ai iu përgjigj shkurt dhe qartazi: Ndoshta unë, por nuk e di.

Disa prej këshilltarëve kyç dhe ndihmësve të Trumpit e kanë përjashtuar vetveten nga gara për postet kyçe në administratë, ndërsa disa prej tyre kanë thënë se ka pasur mosmarrëveshje në ekipin e tranzicionit, kur Pence arriti të merrte postin e kryesuesit në vend të guvernatorit të Nju Xhersit, Chris Christie.

Kreu i Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senat, Bob Corker shprehu interesin e tji për një post në Departamentin e Shtetit, ndërsa tha se ekipi i tij ka zhvilluar “disa bisedime” me njerëzit e Trumpit. Megjithatë, republikani i Tennessee e bëri të qartë për “MSNBC” se ka shumë të tjerë, që kanë qenë figura “qendrore” në fushatën presidenciale të miliarderit, të cilët janë pretendentë dhe në vijën e parë për postin në fjalë.

Anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Rogers, një republikan i respektuar gjerësisht mbi çështjet e sigurisë kombëtare, i cili konsiderohej si një aleat i Christie, dha dorëheqjen nga ekipi i tranzicionit. Ndërsa Ben Carson, kirurgu i zemrës dhe ish-pretendent për nominimin republikan, tha se do të ishte “më efektiv me presidentin e zgjedhur, nëse qëndronte jashtë administratës”.

Deri më tani, vetëm dy zyrtarë të ardhshëm të Shtëpisë së Bardhë janë emëruar: shefi i stafit Reince Priebus dhe kryestrategu i Trumpit, Steve Bannon. Ndërkohë, kreu i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan është mbështetur unanimisht për rizgjedhjen nga republikanët në Kongres. Ai do të votohet nga të gjithë anëtarët e Dhomës në muajin janar.

Top Channel