Trump president, Koreja e Veriut: Nuk na intereson kush bëhet president i Amerikës

15/11/2016 00:00

Koreja e Veriut nuk e vret mendjen se kush është president i Shteteve të Bashkuara. Kështu është shprehur një diplomat i Penianit gjatë një vizite në Kombet e Bashkuara këtë të martë, pas zgjedhjes së Donald Trumpit si pasues i presidentit Barack Obama.

Kim Yong-ho, drejtor i të drejtave të njëriut dhe çështjeve humane, foli për reporterët pasi një komitet i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së miratoi një projektrezolutë që dënon “shkeljet e rënda dhe të shumanshme të të drejtave të njeriut” në shtetin aziatik.

“Për ne nuk ka rëndësi se kush bëhet president i Shteteve të Bashkuara, – tha Kim. – Çështja fundamentale këtu është nëse Amerika ka dëshirë apo jo të tërhiqet nga politikat armiqësore kundrejt Republikës Demokratike Popullore të Koresë”. (Këtu i referohet vendit komunist me siglën DPRK).

Koreja e Veriut i ka akuzuar rregullisht Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut se po përgatisin një luftë përmes stërvitjeve të përbashkëta ushtarake. Sipas vendit komunist, SHBA-të dhe fqinji jugor planifikojnë gjithashtu të dërgojnë edhe sistemet antiraketore (THAAD) në Jug për t’iu bërë ballë kërcënimeve raketore dhe bërthamore nga Veriu.

Trump tha në maj se dëshiron të dialogojë me udhëheqësin koreanoverior, Kim Jong-un, me synimin për ta bindur kreun e Penianit të heqë dorë nga programi bërthamor, duke propozuar edhe një kthim të qenësishëm të politikës amerikane kundrejt vendit të izoluar komunist.

Gjithsesi, përpara zgjedhjeve të 8 nëntorit, një këshilltar i Trumpit tha muajin e kaluar se nuk mundet të parashikojë ndonjë rrethanë në periudhë afatshkurtër apo afatmesme, në të cilën presidenti i zgjedhur (atëherë kandidat republikan për president) të mund të takohet me kreun e Koresë së Veriut, nëse do të zgjidhej president.

Koreja e Veriut gjendet nën efektin e sanksioneve të rënda të vendosura nga OKB-ja që prej vitit 2006. Në mars, Këshilli i Sigurimit ashpërsoi sanksionet për ta izoluar edhe më tej vendin e varfër, pas testit të katërt bërthamor të tyre në janar, si dhe lëshimit të një rakete me rreze të gjatë veprimi në shkurt.

Që prej testit të pestë dhe atij më të madh bërthamor nga Koreja e Veriut, më shumë se dy muaj më parë, Shtetet e Bashkuara dhe Kina, kjo e fundit aleat i ngushtë i vendit komunist, kanë negociuar një draft të ri të rezolutës së Këshillit të Sigurimit për të ndëshkuar edhe më tej Penianin.

Top Channel