Buxheti i përmbytjeve, ministri i Bujqësisë: “Duhen 6.9 miliardë lekë shtesë”

15/11/2016 00:00

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti kërkoi 6.9 miliardë lekë ose rreth 50 milionë euro më shumë sesa planifikimi i qeverisë në buxhetin e vitit 2017, duke renditur si kërkesën kryesore rritjen e fondeve për investime kundër përmbytjeve.

“Investimet në sistemin e kullimit, në sistemin e kanaleve kulluese, argjinatura dhe diga mbeten një problem që ka nevojë për adresim. Në këtë këndvështrim kemi kërkuar që të kemi një shtesë në investimet e brendshme për infrastrukturën e kullimit, ujitjes dhe përmbytjes”, tha Panariti.

Një tjetër zë në buxhet për të cilin Ministri i Bujqësisë kërkoi rritje është për kompensimin e fermerëve të prekur nga sëmundja e dermatozës nodulare: “Unë e di që është vullnet i qeverisë, për këtë arsye do të kërkojmë një shtesë në financim prej 94 milionë lekësh, në mënyrë që fermerët që u dëmtuan nga kjo sëmundje, të kompensohen me kafshë të gjalla”.

Buxheti për bujqësinë për vitin 2017 është thuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë, madje ka një ulje prej 17 milionë lekësh.

Top Channel