Serwer: Trump mund të këshillohet për ndarjen e Kosovës

15/11/2016 00:00

Analisti amerikan Daniel Serwer, në një shkrim analitik të publikuar në ‘peacefare.net’, ka shkruar se presidenti i ri amerikan Donald Trump mund të marrë këshilla nga strategët e tij, për rindarjen e Ballkanit dhe pjesëve të tjera të botës në vija etnike.

Sipas Serwer, kjo mund të ndodhë nëse Trump është i gatshëm të pranojë një sferë të ndikimit rus në Ballkan.

Ja çfarë shkruan konkretisht Serwer:

“Çfarë të presim për Ballkanin?

Jo shumë, në shikim të parë. Ka kaluar shumë kohë, që kur një president i Shteteve të Bashkuara e ka vënë Ballkanin si prioritet. Një rajon që në vitet ’90  ishte objekt i dy ndërhyrjeve ushtarake të SHBA-ve (në Bosnje dhe Kosovë) dhe vendosjes së trupave të NATO-s, tani ka rënë në listën e prioriteteve dhe nuk gjendet më lartë se një zëvendës ndihmëssekretar në Departamentin amerikan të Shtetit.

Kjo s’është gjë e keqe: demokracia dhe shtetndërtimi në Ballkanin Perëndimor kanë qenë relativisht të suksesshme, me Slloveninë, Kroacinë dhe Shqipërinë tashmë anëtare të NATO-s, dhe Malin e Zi në proces anëtarësimi në të. Sllovenia dhe Kroacia janë po ashtu anëtare të BE-së, por edhe vendet e tjera të rajonit kanë marrë drejtimin e njëjtë, secila me ritmin e vet.

Por, procesi për ta bërë më “perëndimor” Ballkanin Perëndimor ende nuk është kompletuar, madje është ngadalësuar së fundmi dhe mund të cungohet. Ndoshta edhe të kthehet prapa gjatë administratës së Trumpit. Bosnja po vuan nga sulme ndaj legjitimitetit të kushtetutshmërisë së vet, që rrënjët i ka në akordet e paqes në Dayton nga viti 1995, nga presidenti i krahinës 49% autonome të njohur si “Republika Srpska”.

Maqedonia ka ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme dhe refuzimit të Greqisë për t’ia njohur emrin. Kosova filloi ekzistencën si shtet sovran pas të tjerëve dhe vuan njësoj nga mosmarrëveshjet e brendshme dhe problemet e vazhdueshme për shkak të mosnjohjes nga Serbia.

Të gjitha vendet e Ballkanit po vuajnë nga një fuqi e butë e sulmit rus ndaj mediave dhe institucioneve të tyre.

Nëse presidenti i ri është i prirë për të pranuar një sferë të ndikimit rus në Ballkan, pasojat ndaj demokracisë kryesisht të re të rajonit mund të jenë dramatike. Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO varet nga ratifikimi në Senatin amerikan.

Për përparim në Bosnjë nevojitet veprimi i BE-së dhe SHBA-ve së bashku, për të promovuar reforma politike dhe ekonomike. Marrëdhëniet e përmirësuara midis Kosovës dhe Serbisë varen po ashtu nga veprimi i përbashkët i Brukselit dhe Uashingtonit, siç do të varet edhe zgjidhja e problemeve të brendshme dhe jashtme të Maqedonisë. Zvogëlimi i këtyre përpjekjeve të vazhdueshme mund t’i zbehë ato deri në dështim. Por më e keqja pret.

Trumpi dëshiron t’i përmirësojë marrëdhëniet e Amerikës me Rusinë dhe mund të joshet që të pranojë çdo gjë të vlefshme për t’i përmirësuar ato. Nëse, për shembull, Trump e njeh aneksimin e Krimesë nga Rusia, vetëm kjo mund të nisë një seri ndarjesh në baza etnike, jo vetëm në Ukrainë, por edhe në vendet të tjera si Gjeorgjia, Moldavia, Bosnja, Kosova dhe Maqedonia. Do të ishte vërtet mrekulli, nëse një zinxhir i tillë i ndarjeve do të ndodhte në mënyrë paqësore. Por, ka më shumë mundësi që kjo do të çonte në një destabilitet, spastrim etnik, rishënjim të kufijve dhe luftë.

Nacionalistët e bardhë si Steve Bannon, shefi afatgjatë i strategjive të Trumpit, padyshim që do t’i thoshin presidentit të ri se ndarjet etnike janë natyrale, apo të pashmangshme, dhe aspak një gjë e keqe në fund të fundit.

Ajo çfarë do të ndodhë në Ballkan është sulm ndaj rendit të pasluftës, i vendosur në fund të viteve ’90, kur shumica e luftërave ballkanike përfunduan. Nuk ka qenë tamam rend demokratik-liberal, meqë identiteti etnik dhe grupet për të drejtat e njeriut mbesin një përmasë e rëndësishme e jetës së organizuar politike, virtualisht çdokund në rajon.

Por, ishte një rend i bazuar në aspiratat për anëtarësim në BE dhe për disa edhe në NATO, që përfshiu themelimin e gjyqësorëve të pavarur, medias relativisht të lirë, organeve legjislative përfaqësuese dhe zgjidhjeve paqësore të mosmarrëveshjeve. Çrregullimi i këtij rendi, në favor të ndarjeve etnike dhe autokracive mendjengushta me pretendime territoriale, do të ishte e rrezikshme: kjo është një pjesë e botës e përfshirë në dy luftëra botërore, përveç konflikteve të veta pas Luftës së Ftohtë, që rodhën nga ndarja e ish-Jugosllavisë.

Nuk pres prej Steve Bannon apo John Bolton, që të brengosen për këtë, por shpresoj se republikanët më pragmatikë, si kryetari i Komisionit për Marrëdhëniet e Jashtme të Senatit, Bob Corker, apo senatorja në largim e New Hampshire, Kelly Ayotte, pasi të dy thuhet se do të zënë vende në kabinet, do të kuptojnë luftërat e Ballkanit të viteve ’90 dhe paqja pasuese ishin përpjekje të të dy partive, me përkrahjen e udhëhequr po aq nga senatori republikan Dole sa kushdo tjetër.

Ruajtja e kësaj trashëgime paqësore të të dy partive dhe rritja e prosperitetit është e rëndësishme, edhe nëse rajoni nuk tërheq më vëmendje të nivelit të lartë”.

Top Channel