Udhëtimin e fundit në Europë si kryetar i shtetit amerikan, Barack Obama e nisi nga Greqia. “Masat antikrizë, të vetme nuk sjellin dot prosperitet”, ishte mesazhi i shefit të Shtëpisë së Bardhë në takimin me kryeministrin grek, Alexis Tsipras, të përshkruar nga mediet si tejet të përzemërt.

“Do të vazhdoj t’ia theksoj edhe pjesës tjetër të Europës këndvështrimin tim se, masat drastike nuk prodhojnë mirëqenie. Për të kontribuuar në nxitjen e rritjes ekonomike është i nevojshëm një lehtësim i borxhit”, tha Obama.

Presidenti i lavdëroi përpjekjet e ekzekutivit grek, duke kujtuar se reformat nuk janë të lehta, por mbeten të nevojshme për ta bërë ekonominë e vendit sa më konkurruese. “Ne amerikanët, – theksoi ai, – do të qëndrojmë përherë në krah të popullit grek”.

Athina zyrtare duket se shpreson që Obama të ndihmojë të binden kreditorët e Greqisë mbi ristrukturimin e të paktën një pjese të borxhit të madh të saj.

“Ne shpresojmë që mundi dhe sakrificat e popullit do të japin shumë shpejt rezultat dhe do të kemi zhvillime pozitive përsa i takon disa çështjeve me shumë rëndësi, që shtrihen përpara nesh. Negociatave që lidhen me krizën e borxhit dhe raportit me partnerët, që prek të gjithë Europën dhe ekonominë globale”, tha Alexis Tsipras.

Në mesin e vitit 2015, Greqia firmosi paketën e tretë të ndihmës prej 86 miliardë eurosh, por thotë se i nevojitet një ristrukturim i borxhit afatgjatë, që të arrijë të dalë nga ngërçi më i thellë ekonomik prej dekadash të tëra.

Gjatë ndalesës në Athinë, Obama u takua edhe me presidentin grek Prokopis Pavlopoulos, të cilit i tha se “një Europë e fortë, e begatë dhe e bashkuar” nuk është vetëm në dobi të popujve europianë, por edhe të të gjithë botës, duke përfshirë këtu padyshim edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Top Channel