Absurdi tek Flamurtari, kontrata garantohet nga federata spanjolle

15/11/2016 00:00

Thellohet skandali i çështjes Flamurtari mes administratorit aktual dhe ish-kryetarit të bashkisë dhe Presidentit Shpëtim Gjika. Një ditë pas akuzave të bëra për kontrata paralele dhe të parregullta, nga administratori aktual Idrizi, Top Channel ka mundur të sigurojë edhe kontratën që Presidenti Gjika në vitin 2013-të ka firmosur në atë periudhë me trajnerin Gjoka.

Kontrata është nënshkruar nga ish-trajneri i Flamurtarit, Ernest Gjoka dhe Presidenti i klubit vlonjat, Shpëtim Gjika, për të cilën administratori aktual, Sinan Idrizi thotë që nuk e njeh. Në kontratë përveçse luhet me shifrat, ka edhe edhe pjesë qesharake.

“Për çdo paqartësi apo kontradiktë që mund të lindë në lidhje me përmbushjen ose interpretimin e kësaj kontrate, të dyja palët mund t’i drejtohen, sipas dëshirës së tyre organeve të gjyqësorit ose Komitetit Juridiksional dhe Pajtues të Federatës Mbretërore të Futbollit Spanjoll”, thuhet aty.
 
Me fjalë të tjera, një kontratë e pavlefshme për organin e futbollit shqiptar dhe me këtë logjikë, palët duhet të ankohen në Spanjë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Sa i përket shifrave dhe çka ajo përmban është shumë më serioze. Sipas kësaj kontrate paga e trajnerit të Flamurtarit në vitet 2013-2014-të, Ernest Gjoka ka qenë 2500 euro në muaj dhe për këtë ka firmosur kryetari i Bashkisë së asaj periudhe dhe rrjedhimisht Presidenti i Flamurtarit në atë kohë Shpëtim Gjika. Por ai ka firmosur si president, ndërkohë që firma duhet të ishte e adminstratorit të klubit, i cili në atë përiudhë ka qenë Geri Çipi.

Ndërkohë nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve në Vlorë, ka dalë një dokument që tregon se ish-trajneri Gjoka ka paguar kontributet e sigurimeve shoqërore për një pagë tjetër, më të ulët se ajo me të cilën kishte nënshkruar kontratën me Presidentin Gjika.

Kjo çështje ka futur në një rrugë padalje problemin e Flamurtarit, megjithëse Shpëtim Gjika, i kontaktuar nga Top Channel ka sqaruar se do ta gjejë ai vetë një zgjidhje për këtë çështje.

“Me kontributin tim dhe dashamirësinë e Presidentit të Federatës shqiptare të futbollit, Armand Duka, Komisioni i Disiplinës nuk do të mblidhet ditën e enjte, siç është programi i tij por, pas 2 javësh. Deri atëherë, do të gjejmë një zgjidhje kontratës së trajnerit Gjoka”, thotë Gjika.

Top Channel