Siguria ushqimore, përfaqësuesit e BE-së vizitojne laboratorin e AKU-së

15/11/2016 00:00

Me hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, një sfidë e veçante do të jetë siguria ushqimore, ajo veterinare dhe politikat fito-sanitare të përmbledhura në kapitullin e 12-të.

Sipas statistikave të OBSH, 1 në 10 persona sëmuren çdo vit nga konsumi i ushqimeve të kontaminuara. Shefi i sektorit ekonomik në delegacionin e BE në Tiranë, teksa ka parë nga afër labortaorin e AKU-së në Durrës i ka kërkuar autoriteteve shqiptare të zbatojnë standarde sa më të larta në lidhje me sigurinë ushqimore.

“BE ka miratuar 71 milionë euro për periudhën 2016-2020 me programin IPA, për të mbështetur investime të reja në prodhimin dhe përpunimin e ushqimeve. Kjo është një mundësi e mirë për të rritur aftësinë konkurruese të subjekteve shqiptare që merren me biznesin ushqimor sa u takon kostove dhe standardeve. Prandaj është shumë i rëndësishëm roli i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për zbatimin e sandardeve sa më të larta të sigurisë ushqimore”, deklaroi Jan Rudolph.

Bashkimi Europian ka investuar nëpërmjet progarmeve IPA ngritjen e laboratorëve për të analizuar produktet ushqimore përsa i përket ndotjes bakteriale, lagështirës, e të tjera.

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti theksoi se tanimë do të ketë një qasje të re të gjrumueshmërisë së produkteve ushqimore, që nga prodhuesi, ku çdo produkt do të ketë  bar-kodin e tij dhe po kështu çdo kafshë dhe bimë do të ketë certifikatën me të dhënat perkatëse, ndonëse nëpër markete apo supermarkete kjo ende nuk zbatohet.

“Siguria ushqimore është përmirësuar ndjeshëm. Ka ende produke të tilla, por i mbetet inspektorëve të AKU-së të fuqizojnë kontrollet”, deklaroi Panariti.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk ka inspektorë dhe mjete për të lëvizur në mënyrë që të mbulohet i gjithë territori me kontrolle të shpeshta të prodhuesve, apo subjekteve që merren me përpunimin e tyre.

Top Channel