Shefi i Shtëpisë së Bardhë u takua në Greqi me Presidentin Prokopis Pavlopoulos dhe Kryeministrin Alexis Tsipras, me të cilin u shfaq më pas në një konferencë për shtyp.

Presidenti amerikan tha se ka zhvillime pozitive në Greqi, por  po ashtu ende shumë punë për të bërë.

“Jemi të lumtur që fillon një fazë e re dhe situata po përmirësohet. Ka ende shumë sfida për të kaluar, por së bashku krah për krah do të përballemi me to”, tha Obama.

Obama përshëndeti popullin grek për vlerat njerëzore, siç tha ai që tregoi me krizën e emigrantëve, por tha se është e rëndësishme që një vend i vetëm të mos mbajë gjithë peshën e kësaj sfide.

Nga ana e tij, Presidenti grek Pavlopulos falenderoi Obamën për mbështetjen e SHBA në krizën greke dhe shprehu bindjen se të njëjtën mbështetje do të ketë sërish prej Presidentit të sapo zgjedhur Donald Trump.

Gjatë dy ditëve të qëndrimit në Greqi, obama do të mbajë një fjalim për politikën e jashtme si dhe do të vizitojë Akropolin.

Vizita e Obamës, i cili është dhe presidenti i katërt amerikan që shkon në Greqi, pas Ajzenahauerit, Bushit të madh dhe Klintonit, e ka paralizuar Athinën me masa tepër të larta sigurie.

Rreth 5000 policë grekë dhe 500 agjentë amerikanë po sigurojnë jetën e Presidentit. 

Dy satelitë ushtarakë janë pozicionuar mbi territorin grek, ndërsa zona detare në Gjirin e Glifadhës, ku ndodhet hoteli ku do qëndron obama është e mbyllur për 30 orë.

Top Channel