Egjipt, gjykata rrëzon dënimin me vdekje për ish-presidentin Morsi

15/11/2016 00:00

Gjykata e Lartë në Egjipt ka rrëzuar dënimin me vdekje ndaj ish-presidentit Mohammed Morsi. Morsi ishte dënuar me vdekje për rolin e tij në arratisjen e madhe nga burgu gjatë revolucionit të vitit 2011.

Ai u zgjodh president në 2012 por u rrëzua nga ushtria një vit më pas, pas protestave kundër regjimit të tij që mbushën rrugët.

Morsi është dënuar me burgim të përjetshëm në një proces tjetër ku akuzohet për terrorizëm, ndërkohë që përballet me akuza në procese të tjera.

Vendimi i së martës nga Gjykata e Lartë do të thotë se Morsi do të rigjykohet për arratisjen nga burgu. Gjykata ka anuluar gjithashtu dënimin me vdekje të 5 liderëve të lëvizjes Vëllazëria Myslimane, përfshirë këtu udhëheqësin Mohammed Badie, i dënuar në të njëjtën çështje; si dhe 21 dënime me burg përjetë.

Morsi u arratis nga burgu “Wadi Natroun” në janar të vitit 2011 dhe u dënua për lidhje me militantët e huaj në planin për të liruar militantët islamikë të burgosur. Dënimet me vdekje ishin aprovuar më herët gjatë vitit nga autoriteti më i lartë fetar i Egjiptit, Myftiu i Madh Shawqi Allam.

Top Channel