PD: Rama përjashton opozitën, kërkon të hapë vetë dosjet e sigurimit

15/11/2016 00:00

Nënkryetari i PD, Edmond Spaho, në një deklaratë për mediat të mbajtur paraditen e së martës ka akuzuar kryeministrin Rama se synon të kapë procesin e hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe njëkohësisht të fusë duart në sistemin e drejtësisë nëpërmjet kontrollit të lidhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve me të shkuarën komuniste.

“Në ligjin e Vetting-ut, i cili është miratuar para disa muajsh, me nismë të Partisë Demokratike u kërkua që të gjithë prokurorët dhe gjykatësit e rinj që do të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë të mund të verifikohen edhe për lidhjet me të shkuarën komuniste, për shkak se në sistemin aktual të drejtësisë kemi me dhjetëra dhe me qindra individë të cilët kanë ushtruar aktivitetin gjatë periudhës së diktaturës dhe kanë dhënë vendime në favor të diktaturës dhe kjo nuk është e udhës dhe as logjike të jetë pjesë e sistemit të ri të drejtësisë”, ka thënë Spaho.

Ai ka saktësuar se në strukturën që do të bëjë vetting-un dhe në atë që do të merret me hapjen e dosjeve, opozita nuk ka asnjë përfaqësues të sajin dhe rrjedhimisht është e përjashtuar nga të dyja proceset.

“Verifikimin pasuror të prokurorëve dhe gjyqtarëve do ta bëjë ILDKPI, që është nën kontrollin e plotë të Edi Ramës. Ndërsa Autoriteti i Hapjes së Dosjeve që do të krijohet do të ketë në përbërjen e tij 5 anëtarë, 1 prej të cilëve nga Këshilli i Ministrave, 1 nga shoqëria civile, 1 nga Shoqata e të Përndjekurve dhe 2 të rekomanduara nga Kuvendi. Çuditërisht ditët e fundit mësova që mazhoranca ka paraqitur dy kandidatura dhe synon që me mekanizmin e votës që disponon, në Komisionin e Ligjeve dhe në seancë plenare, t’i kalojë të dyja. Rrjedhimisht, autoriteti do të përbëhet nga tre përfaqësues të mazhorancës, një i shoqërisë civile dhe një i Shoqatës së të Përndjekurve. Në këtë mënyrë opozita është përjashtuar tërësisht”, ka thënë Spaho.

Top Channel