Tjetër park lojërash, Veliaj: Qytetarët të mbajnë pastër mjedisin

15/11/2016 00:00

Fëmijët e rrugës “Sulejman Delvina” do të kenë një dhuratë për Vitin e Ri, një kënd lojërash të ri. Një tjetër shesh kreativ do ti shtohet kryeqytetit, ndërsa kreu i bashkisë bën thirrje që qytetarët të mbajnë pastër mjedisin.

“Jam shumë i lumtur që po fillojmë një kënd të ri lojërash. Kjo është si ato lojërat për fëmijë, ku ndoshta çdo copë në vetvete nuk duket se ka ndonjë rëndësi të veçantë, por kur copat bëhen bashkë, krijojmë fotografinë e një komuniteti që funksionon. Këtë kënd do ta përfundojmë përpara festave të Vitit të Ri. Jam mirënjohës që shumë kompani i janë bashkuar kësaj nisme, për të dhënë diçka mbrapsht në komunitet, dhe kur edhe ky kënd të ketë mbaruar te “Sulejman Delvina” do të kemi një hapësirë që do të mbledhë bashkë jo vetëm fëmijët, por edhe gjyshërit e prindërit”, tha Veliaj.

Veliaj falenderoi qytetarët e Tiranës të cilët u angazhuan në aksionin e pastrimit që u ndërmor të dielën, duke i dhënë një tjetër pamje kryeqytetit. Ai u kërkoi atyre që të bashkëpunojnë për të mbajtur pastër mjedisin, në mënyrë që të shmangen edhe bllokimet, sikurse u vu re gjatë reshjeve të dendura të shiut.

“I falenderoj qytetarët e Tiranës që na u përgjigjën në aksionin e pastrimit. Sot Tirana është më e pastër, por duhet ta mbajmë të tillë dhe që ta mbajmë të tillë ka dy mënyra: Së pari, për ne që e kemi detyrë pastrimin të vijojmë ta bëjmë këtë me korrektësi, siç e kemi bërë Tiranën dritë vitin e fundit. Së dyti, për të gjithë të tjerët që s’kanë detyrë pastrimin, por kanë detyrë të jenë të pastër, u kërkojmë që të bashkëpunojnë”, tha Veliaj.

Punimet për rikualifikimin e sheshit rekreativ dhe të këndit të lojërave për fëmijët e Njësisë nr. 5, përveç rikualifikimit estetik të zonës së banuar, nëpërmjet planifikimit dhe shtimit të gjelbërimit, parashikon edhe ndërtimin e infrastrukturës për rekreacion pasiv për të rritur.

Top Channel