PR: Reformë zgjedhore për bllokimin e trafikut të mandateve

15/11/2016 00:00

Kryesia e Partisë Republikane, gjatë një takimi me elektoratin e njësisë administrative numër 7 të kryeqytetit ka kërkuar sërish ndryshime në Kodin Zgjedhor.

Financimi i fushatave nga buxheti i shtetit, listat e hapura dhe bllokimi i trafikut të mandateve kanë qenë disa nga kërkesat që janë parashtruar gjatë këtij takimi.

Kryetari i PR për Tiranën, Blendi Sulaj u shpreh se reforma më e rëndësishme për të cilën ka nevojë Shqipëria është ajo zgjedhore.

“Nuk do të mund t’u garantojmë shqiptarëve një proces zgjedhjesh të lira dhe transparente nëse shkojmë në zgjedhjet e 2017-s me këtë Kod Zgjedhor. Duhet patjetër që politika shqiptare të reflektojë me qëllim garantimin e votës së lirë dhe të shikojë më larg pazareve të momentit”, deklaroi Sulaj.

Gjatë fjalës së tij, Sulaj e vuri theksin edhe tek disa kërkesa që Partia Republikane ka kohë që i ka bërë prezent në lidhje me ndryshimet e kërkuara zgjedhore:

-Identifikim, votim dhe numerim elektronik;
-heqjen e mandateve dhe zëvendësimin e deputetëve që ndërrojnë krahun politik;
-votimi me lista te hapura që të kemi një Parlament të votuesve dhe jo të drejtuesve të Partive;
-financim i fushatës nga buxheti duke shkurtuar shpenzimet e saj;
-nje rregullim i drejtë dhe proporcional në Media;
-ndryshimet ligjore të nevojshme bazuar në rekomandimet e OSBE/ODHIR.

Top Channel