Basha: Politika në shërbim të qytetarëve, jo të pakicës sunduese

15/11/2016 00:00

Lulzim Basha zhvilloi takime me drejtues të strukturave të Partisë Demokratike në Kuçovë dhe në Urën Vajgurore. Gjatë këtyre takimeve, Basha renditi krimin dhe korrupsionin si shkaktarët kryesorë të situatës së rëndë në të cilën ndodhet vendi sot.

Duke iu referuar “përfitimeve që 11 miqtë e Edi Ramës kanë marrë me tendera”, Basha theksoi se nga këto të ardhura do të ishin hapur 55 mijë vende të reja pune në një vit dhe do t’u ishte dhënë ndihma ekonomike 200 mijë familjeve në nevojë.

“234 milionë dollarë kanë shkuar në xhepat e miqve të Edi Ramës, shifër e barabartë me ndihmën ekonomike për një vit për 200 mijë familje. Shifër e barabartë me rrogën 300 mijë lekë në muaj për 55 mijë të punësuar. Në qoftë se këto para do të shpenzoheshin për subvencione për bujqësinë, çdo fermer shqiptar do të merrte 500 mijë lekë”, deklaroi Basha.

Sipas tij, pushteti i Edi Ramës është përqendruar në duart e një grushti kriminelësh dhe të korruptuarish, që ndajnë paratë me të dhe kërkojnë me çdo çmim të mbajnë pushtetin, ndërsa varfëria dhe mjerimi për qytetarët thellohet.

“Edi Rama ka ndërtuar një kazermë tiranike të krimit dhe të korrupsionit së bashku me kriminelët më në zë të Shqipërisë. Shikoni si i ka ndarë punët: buxhetin për vete, drogën me kriminelët me të cilët ka ardhur në pushtet. Çfarë mbetet për popullin?! Varfëria, emigracioni dhe burgu po nuk pagove dot faturën. Ose do të të lidhin sytë në mëngjes dhe do të të çojnë tek arat e drogës si argat. Nuk na duhet thjesht një rotacion, largimi i tyre dhe ardhja jonë. Na duhet një ndryshim epokal në qendër të të cilit të jetë fuqizimi i qytetarit shqiptar dhe kufizimi i pushtetit të ardhshëm sipas një modeli europian”, tha Basha.

Top Channel