HEC-et private, edhe ASHTA ikën nga KESH dhe firmos me OSHEE

15/11/2016 00:00

Edhe shoqëria koncesionare ASHTA ka firmosur kontratë me OSHEE, sipas ligjit të ri, duke e transferuar detyrimin per blerjen e energjise nga KESH tek Operatori i Shperndarjes.

Me firmosjen këtë javë të Marrëveshjes së Kalimit të detyrimit për blerjen e energjisë ndërmjet shoqërisë koncesionare Energji ASHTA dhe OSHEE, përfundon një fazë shumë e rëndësishme e reformës në sektorin e energjisë elektrike, ajo e ndarjes së funksioneve për secilin operator dhe krijimin e tregut të organizuar të energjisë elektrike.

Bazuar në Ligjin e ri Për Sektorin e Energjisë Elektrike të Prillit 2015 dhe në një sërë aktesh të tjera nënligjore të dala në zbatim të tij, KESH nuk do të ketë më detyrimin e caktuar arbitrarisht të blerjes së energjisë së prodhuar nga HEC-et e vegjel, por tashmë do të ushtrojë vetëm funksionet e tij naturale si prodhues energjie, duke bërë të mundur në këtë mënyrë një shfrytëzim më optimal të burimeve të tij gjeneruese.

Me ndryshimet e marrëveshjes tip të blerjes së energjisë, të miratuar nga ERE,  të gjitha shoqëritë koncesionare kanë firmosur kontratat e reja me OSHEE, duke i dhënë fund kështu konfliktit të nisur nga shoqata e HEC-ve, për pasiguritë e pretenduara prej tyre me të cilat mund të përballeshin ata nga ky ndryshim i blerësit të energjisë.

Sipas Ministrisë së Energjisë, situata ka rezultuar krejt e kundërta, pasi Qeveria shleu të gjitha detyrimet e prapambetura prej 9.1 miliard lekësh që shteti i kishte këtyre koncesionarëve dhe tashmë ata po paguhen rregullisht për energjinë që prodhojnë duke ju rritur likujditetin dhe lehtësuar përmbushjen e detyrimeve për shlyerjen e kredive ndaj bankave.

Top Channel