Udhëtimi i fundit në Europë, ndalesa e parë e Obamës në Athinë

15/11/2016 00:00

Ky cilësohet si turneu i lamtumirës për Presidentin amerikan Barack Obama, i cili është nisur për në Athinë në turneun e tij të fundit si President i Shteteve të Bashkuara.

Një nga qëllimet kryesore të kësaj vizite është që Obama të sigurojë aleatët se edhe presidenti i sapozgjedhur Donald Trump do të ruajë të njëjtën linjë strategjike marrëdhëniesh me të gjithë vendet duke përfshire edhe NATO-n.

Ai ka deklaruar më herët se nuk ka vend për shqetësime dhe as për frikë pas fitores së republikanëve.

Shumë zyrtarë europianë kanë dalë me deklarata përfshirë Presidentin e Komisionit Europian, Jean Claude Juncker dhe shefin e NATO-s, Stoltenberg, të cilët janë shprehur se përzgjedhja e Trump kërcënon marrëdhëniet e Brukselit dhe aleatëve me Uashingtonin.

Gjatë fushatës miliarderi ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk  mund të jenë financuesi i vetëm i Aleancës së Atlantikut të Veriut, pasi nëse kërkohet një botë e sigurt të gjithë duhet të kontribuojnë sipas tij.

Ditën e hënë, Bashkimi Europian ra dakord për të hartuar një plan të ri mbrojtjeje për të dërguar forca të shpejta jashtë kufijve të unionit, një lëvizje që shihet se i jep mundësinë bllokut të veprojë pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara nëse është e nevojshme.

Obama viziton Greqinë, më pas Gjermaninë dhe ne fund Perunë. Ai do të takohet me zyrtarë të lartë përfaqësues të këtyre vendeve, përfshirë edhe kancelaren Angela Merkel.

Top Channel