Hamilton nis “luftën” e fjalëve

14/11/2016 00:00

Kushtoi thuajse 1 miliard euro, ka një kapacitet prej 50 mijë spektatorësh dhe është dizenjuar nga arkitekti i famshëm Herman Tilke. Cirkuiti i Jas Marinës është kthyer në enigmën e fundit për titullin e Formula 1, me garën e Abu Dabit që do të vendosë dhe kampionin e ri.

Kjo pistë ka sjellë në sezonet e kaluara disa prej garave më spektakolare, përplasje dhe goditje të palejuara, parakalime të çmendura e madje dhe nervozizëm tej limitit. 

Në pritje të verdiktit që do të japë cirkuiti aziatik, Hamilton ka nisur një lloj lufte të ftohtë fjalësh, për të çuar presionin mbi supet e kryesuesit Rosberg. Vetëm 12 pikë i ndajnë protagonistët nga vendi i parë në të dytin.
 
“Jam i lumtur që kam fituar në garat e fundit dhe Nico nuk ka asnjë avantazh mbi mua. Për momentin Rosberg po bën punën që duhet, ai ka përfunduar çdo garë dhe nuk ka patur probleme, siç kam vuajtur unë. Jam në një pozicion të çuditshëm para garës së fundit dhe nuk bën shumë diferencë sesi do drejtoj tani, pasi kam humbur shumë gjatë vitit. Nuk do të dorëzohem pasi asnjëherë nuk e di çmund të ndodhë”, tha Hamilton.

Britaniku mund të mbyllë sezonin me më shumë fitore dhe “pole position” se kundërshtari, por sërish të dështojë për titullin. Gjermanit Rosberg i duhet vetëm një vend i tretë pavarësisht garës së Hamilton, për të fituar kampionatin dhe për të arritur atë çka firmosi babai i tij, Keke, në vitin 1982.

Në garën e fundit në Brazil, diferenca e Hamilton me Rosberg arriti në një pikë deri në 25 sekonda, një hendek drithërues që nëse ndodh në Jas Marina, mund të ndryshojë kuotat në fronin e Formula 1.

Top Channel