3 ditë me Superioren, futbolli nis në Korçë… pa tifozë

14/11/2016 00:00

Federata shqiptare e futbollit ka ravijëzuar kalendarin e fundjavës për Kategorinë Superiore, ku bie në sy shpërndarja në 3 ditë e ndeshjeve të futbollit elitar në vendin tonë.

Java e 11 e Superligës do të nisë me ndeshjen që do të impenjojë kampionët në fuqi të Skënderbeut në shtëpi ndaj Korabit. Por përballja e korçarëve do të zhvillohet pa tifozë për shkak të dënimit të dhënë nga Disiplina pas trazirave në sfidën ndaj Partizanit.

Ndeshja Skënderbeu-Korabi do të nisë të shtunën në orën 14:00 me dëshmitarë vetëm kamerat dhe gazetarët.

Në të njëjtën ditë Tirana do të synojë t’i afrohet kreut me përballjen e programuar ndaj Laçit, një kundërshtar i kthyer në makth për bardheblutë sezonet e fundit. 24 herë kampionët do të presin kurbinasit që rrezikojnë rënien në orën 17:00 në stadiumin “Selman Stërmasi”.
 
Të dielën do të luhen dy ndeshje të Superiores, Luftëtari-Flamurtari në orën 14:00 dhe  Vllaznia-Partizani në orën 17:00. Shkodranët konsiderohen pengesë e fortë për ambiciet e “demave të kuq”, aq më tepër kur inspirohen nga rikthimi në stadiumin “Loro Boriçi”.
 
Takimi përmbyllës i javës është ai i së hënës në orën 18:00 mes Teutës dhe Kukësit bashkëkryesues, që duhet të marrë 3 pikë për të mos lëshuar në renditje, pavarësisht rezultateve të rivalëve.

Top Channel