Reforma e financave, ulje e borxhit publik deri në 45% të prodhimit kombëtar

14/11/2016 00:00

Qeveria do të investojë vitin që vjen 74.5 miliardë lekë ose 4.7 për qind të prodhimit kombëtar në projekte publike. Ministri i Financave Arben Ahmetaj deklaroi se pjesa dërrmuese e kësaj shume financohet nga taksat e qytetarëve dhe jo me borxh.

“Në vitin 2017 do të kemi raportin më të lartë të bilancit korrent. Pra atë që njihet si rregulli i artë, ku diferenca mes investimeve dhe huamarrjes është 2.9 për qind e prodhimit kombëtar. Nuk ka qenë asnjë vit tjetër kaq”, tha Ahmetaj.

Kreu i financave tha se për shkak të reformës në menaxhimin e financave publike, ulja e borxhit kombëtar është një proces i pakthyeshëm.

“Për herë të parë kemi vendosur në ligj detyrimin për çdo qeveri që borxhi në vitin aktual të mos jetë më i lartë se ai i vitit paraardhës dhe kjo do të vazhdojë deri sa borxhi të zbresë në 45 për qind e prodhimit kombëtar”, u shpreh ministri i Financave.

Reforma e financave publike është një nga kushtet kryesore të Bashkimit Europian. Ambasadorja Romana Vlahutin tha se kjo reformë mundëson që fondet publike të mos shpërdoren, por të përdoren në dobi të qytetarëve

“Vetëm për dy vjet unë mendoj se ne do të disbursojmë rreth 130 milionë euro për Shqipërinë si mbështetje buxhetore si asistencë për të gjitha reformat që janë kritike për Shqipërinë. Këtu përfshihet menaxhimi i financave publike, reforma e administratës, nxitja e punësimit, lufta kundër korrupsionit, mbështetja e transportit dhe sigurisht financimi i reformës në drejtësi”, tha Vlahutin.

Top Channel