Rrëzohet një avion rus Mig29 në Mesdhe

14/11/2016 00:00

Një avion luftarak rus u përplas në Mesdhe pak minuta pasi u ngrit në fluturim nga aeroplanmbajtësja Admirali Kuznetsov që gjendet pranë brigjeve të Sirisë.

Tre avionë Mig29 u ngritën nga aeroplanmbajtësja e epokës sovjetike dhe fluturuan në drejtim të Sirisë, por një prej tyre, u kthye pas dhe u përpoq të kthehej në bordin e saj.

Mediat raportojnë se avioni u detyrua të kthehej për shkak të një defekti teknik dhe u përplas në Mesdhe ndërsa piloti po përpiqej ta ulte në aeroplanmbajtëse.

Zyrtarë rusë raportuan se piloti u katapultua nga avioni në avari dhe pasi u shpëtua, u verifikua që nuk kishte asnjë dëmtim. Flota ruse i kërkoi të gjitha mjeteve lundruese në zonë që të qëndrojnë të paktën 5 milje detare larg vendit të rrëzimit, ndërsa kanë nisur hetimet për të zyrtarizuar shkakun e përplasjes.

Lajmi për rrëzimin e avionit rus vjen ndërsa Moska po përgatit bombardierët me rreze të gjatë veprimi Tu95 dhe Tu160 për sulmet e ardhshme në Siri.

Ekspertët thonë se humbja e një avioni luftarak, ndërsa nuk përbën asnjë problem material për Rusinë, është mjaft e sikletshme për debutimin e aeroplanmbajtëses së saj të vetme në luftën e Sirisë.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel