Erdogan: Të vendosë populli për anëtarësimin e Turqisë në BE

14/11/2016 00:00

Turqia mund ta vendosë përmes referendumit nëse do t’i vazhdojë apo jo bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Europian vitin që vjen. Këtë deklaratë të tijën, presidenti Recep Tayyip Erdogan e shoqëroi me një paralajmërim lëshuar Brukselit se duhet ta ndajë mendjen për sa i takon aderimit të Turqisë.

“Si president ju them që të presim deri në fund të vitit, pastaj do t’ia lëmë në dorë popullit. Sovraniteti i takon atij pa kushte, kjo është absolute, ndaj le të flasë populli. Edhe Britania, popullit iu drejtua. Ata se kishin këtë nevojë sepse ishin ndërkohë pjesë e BE-së, por thanë ‘hajde dalim prej këtej’, dhe u shkëputën. Tani është radha jonë”, tha Erdogan.
 
Ministrat e Jashtëm të BE-së u mblodhën në një takim të fokusuar tek çështja e bisedimeve të anëtarësimit të Turqisë për të cilën një pjesë mendojnë se ka rrëshqitur nga kursi i demokracisë pas grushtit të dështuar të shtetit në muajin korrik. Erdogani përmendi ndër të tjera dhe dënimin me vdekje, rivendosja e të cilit me shumë gjasë, do t’i dërrmonte çdo shpresë të vendit për t’u bërë pjesë e bllokut europian.

“Nëse parlamenti e aprovon dënimin me vdekje, do ta miratoj edhe unë. Pas kësaj, çështja do t’i kalojë njerëzve që ta votojnë në referendum. Populli është autoriteti që vendos”, u shpreh Erdogan.
 
Turqia pritet të mbajë në pranverë një votim kombëtar mbi ndryshimet kushtetuese, ku përfshihet shtimi i fuqive të Erdoanit në postin aktual duke krijuar kështu një sistem presidencial të ngjashëm me atë të Shteteve të Bashkuara apo Francës.

Top Channel