Mavraj ngjall polemika: Futën frikë e përçarje te tifozët

14/11/2016 00:00

Si thuajse të gjithë tifozët shqiptarë të futbollit edhe Mërgim Mavraj nuk e përjetoi aspak mirë humbjen e thellë ndaj Izraelit, jo aq për lojën në fushë sesa për klimën dhe sjelljen tonë në një pozicion sipas tij inferior.

Mbrojtësi i kombëtares kuqezi drejtoi akuzat te masat ekstreme të marra nga autoritetet, çka sipas tij ngjalli frikë dhe pasiguri te mbështetësit e ekipit tonë.

“Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi janë bërë në dëm të së gjorës Shqipëri! Por a duhet thënë STOP? A duhet të abuzojnë të tjerët me mikpritjen tonë? Një vend nuk e bën të madh numri i banorëve, por karakteri, zemra, dëshira e krenaria e atij popullit! Ne kemi tradita, e këtë e tregon qartë historia e kombit tonë! Ne nuk duhet ti hedhim asnjëherë poshtë njerëzit tanë, tifozët tanë, gjakun tonë vetëm se “siguria” e tjetrit është në “rrezik”! A kishte rrezik më të madhe ndaj nesh në Serbi?! A kishte poshtërim më të madh se përçarja e frika që futën tek tifozët tanë dy ditë më parë kundërshtarët?! Nuk besoj se ka ndonjë qe mendon se shkaktar i atij “boshllëku” që u krijua në stadium ishte shiu, por paniku i hapur kot së koti. Futbolli duhet të japë mesazh paqeje, e jo të krijojë panik, stres e përçarje”, shkroi nw “Facebook” Mavraj.

Në shënjestrën e mbrojtësit të Këlnit ishin masat e ekzagjeruara të sigurisë, që e kthyen sfidën ndaj Izraelit në një klimë lufte, dhe pa asnjë lidhje me futbollin.

Top Channel