Durrës, sekuestrohen ushqime e erëza. Një i proceduar penalisht

14/11/2016 00:00

Specialistë të Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Durrësit kanë zhvilluar një operacion për goditjen e informalitetit, duke përfunduar me sukses operacionin e titulluar “Know How”, me sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme ushqimesh e erëzash, si dhe procedimin penal të një shtetasi.

I proceduari është identifikuar me inicialet B.SH. nga Durrësi, i cili akuzohet për shkelje të “të drejtës së pronësisë industriale” dhe “fshehje të të ardhurave”.

Akuzat vijnë pas kontrollit të ushtruar në një ambient të marrë me qira në lagjen Nr. 18. Ai është kapur në flagrancë duke paketuar pako ushqimesh dhe erëza me stampa të palicencuara, të cilat më pas i hidhte në treg pa etiketat e miratuara nga Drejtoria e Patentave.

Gjatë operacionit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 4.700 qese rigon dhe 130 kg e papaketuar; 2.000 qese piper; 45 kg kanellë e papaketuar’, 1.000 qese spec i kuq; 1.900 qese limontoz; 1.700 qese sodë buke dhe 775 kg e papaketuar.

Materialet për procedimin e mëtejshëm i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel