Flamurtari, në pikiatë. Nuk paguhen pagat, rrezikon dënimin

14/11/2016 00:00

Përplasja e Flamurtarit me Federatën Shqiptare të Futbollit arriti këtë të hënë në një tjetër pikë kulmore. Afati i lënë për pagesën ndaj ish-trajnerit Ernest Gjoka skadon sot, ndërsa nga skuadra vlonjate askush nuk ka ndërmend të marrë përsipër diçka për këtë çështje.

Pak ditë më parë, skuadrës së Flamurtarit i janë hequr 6 pikë për mospagim të detyrimeve ndaj Veliut, Arbrit dhe Sakajt, ndërkohë që e njëjta masë pritet të merret në mbledhjen e ardhshme të Komisionit të Disiplinës, nëse asgjë nuk do të lëvizë në drejtim të zgjidhjes së ngërçit të kontratave, te të cilat bazohet FSHF nga njëra anë, e nga ana tjetër, administratori i klubit të Flamurtarit, Sinan Idrizi nuk i njeh.

Në një prononcim për Top Channel, Idrizi sqaron se nuk ka ndërmend t’i përgjigjet ultimatumit të radhës për ish-trajnerin Gjoka.

“Federata ka një kontratë, mesa di unë, të zotit Gjika. Ndërkohë që në zyrën time është një kontratë krejt tjetër. Unë, kontratën antiligjore dhe individuale që zoti Gjoka ka bërë me zotin Gjika para se unë të merrja Flamurtarin, nuk e njoh dhe nuk e paguaj. Kanë pasur mënyra financimi duke paguar ekipin e Flamurtanit jashtë buxhetit, në mënyrat e tij, ka pasur trashëgimi nga diku siduket, i ka përdorur për këto. Në rastin konkret, marr përsipër të paguaj. Le t’i lejë komentet, të paguajë”, tha Sinan Idrizi, administrator i klubit Flamurtari.

Ndërkohë, Flamurtari është e vetmja skuadër e cila figuron me borxhe në FSHF. Veç padive të njohura deri më tani, për të cilat ka filluar edhe zbatimi i masave ndëshkimore, shumë shpejt ndaj ekipit të Vlorës po përgatiten dy padi të reja, ajo e Erjon Vucajt dhe e Arsid Krujës.

Një histori që po vazhdon pambarimisht, aq sa edhe rregullorja e FSHF-së nuk e ka të parashikuar se çfarë mund të ndodhë. Gjithsesi, nga sot Flamurtarit mund t’i hiqen edhe 6 pikë të tjera, që do të thotë t’i hiqen edhe ato 6 të mbetura pas penalizimit të parë.

Top Channel