Gjermania kërkon “falje” te Papa. Mposhti Argjentinën në “Brazil 2014”

14/11/2016 00:00

Ekipi kombëtar i Gjermanisë është paraqitur përpara Papa Françeskut me një fanellë speciale gjatë një audience brenda Pallatit Apostolik, këtë të hënë, dy vite pasi mposhtën Argjentinën në finalen e Botërorit të Rio de Janeiros në Brazil.

E teksa i dhuroi Atit të Shenjtë argjentinas fanellën e nënshkruar nga të gjithë lojtarët e kombëtares, presidenti i Federatës gjermane të Futbollit (DFB) Reinhard Grindel tha:

“Ne u shpallëm kampionë bote duke mposhtur ekipin kombëtar të Argjentinës, diçka që juve mund t’iu ketë mërzitur shumë. Ndaj dhe, simbolikisht, kjo fanellë duhet të shërbejë për të na bashkuar të gjithëve bashkë pas asaj disfate”.

Papa Françesku, një tifoz i zjarrtë dhe i përjetshëm i klubit argjentinas të San Lorenzos, nga Buenos Aires, ka pasur takime të shpeshta me futbollistë nga e gjithë bota.

Ai theksoi se suksesi i Gjermanisë, falë grupit, “ndihmon gjithashtu edhe në njohjen e përgjegjësive jashtë fushës së futbollit”. Gjermania ka udhëtuar drejt Milanos këtë të hënë, pasi ditën e nesërme do të luajë në një ndeshje miqësore me Italinë.

Top Channel