Gjermani, Steinmeier nominohet për president

14/11/2016 00:00

Ministri i Jashtëm gjerman, i cili kohë më parë i referohej Donald Trumpit si një “predikues i urrejtjes”, është caktuar këtë të hënë për t’u bërë presidenti i ardhshëm i Gjermanisë.

Frank-Walter Steinmeier pritet të marrë rolin kryesisht ceremonial të kreut të shtetit nga Joachim Gauck, mandati 5-vjeçar i të cilit përfundon në shkurt.

Agjencia gjermane e lajmeve “DPA” raportoi ditën e sotme se partia konservatore e Kancelares Angela Merkel do të mbështesë nominimin e Steinmeierit për postin e presidentit. Së bashku me votat e Partisë Social-Demokratike të qendrës së majtë, ku bën pjesë edhe vet Steimeier, veterani 60-vjeçar i politikës gjermane pritet të ketë mbështetjen e mjaftueshme të nevojshme për të kaluar edhe votimin mes 1.260 delegatëve që zgjedhin presidentin e ardhshëm të Gjermanisë më 12 shkurt.

Udhëheqësi i socialdemokratëve, Sigmar Gabriel tha për reporterët gjatë kësaj të hëne se, Steinmeier ka fituar respekt të gjerë dhe besimin e nevojshëm të kërkuar nga një post i tillë. Steinmeier, normalisht renditet mes politikanëve më popullorë të Gjermanisë.

Edhe pse shquhet për zellin e tij diplomatik, Steinmeier kritikoi ashpër presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gjatë fushatës së tij për zgjedhjet presidenciale amerikane.

I pyetur në gusht në lidhje me rritjen e partive të ekstremit të djathtë, të njohura si populiste, në Gjermani apo kudo në Europë e në botë, Steinmeier qortoi ashpër ata që “bëjnë politikë duke nxitur frikë”. Ai citoi nacionalistët e “Alternativës për Gjermaninë”, promovuesit e “Brexit”-it në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe “predikuesit e urrejtjes, të tillë si Donald Trump për momentin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Ndërsa pas zgjedhjes së Trumpit president, Steinmeier tha se fitorja e republikanëve nënkupton se “asgjë nuk do të bëhet më e lehtë, por shumëçka do të vështirësohet”. Ai deklaroi se Gjermania do të synojë të dialogojë me administratën e Trumpit, por paralajmëroi se politika e jashtme amerikane ka gjasa të bëhet “më pak e parashikueshme”.

Steinmeier fitoi për herë të parë vëmendjen kombëtare në vitin 1998, kur ai u bë shefi i stafit të paraardhësit të Merkelit, Gerhard Schroder. Ai vlerësohet për ruajtjen e qeverisë së qendrës së majtë, shpeshherë në situata kaotike, si dhe tentimin e një pakete reformash ekonomike, por edhe shkurtimeve në favor të mirëqenies shtetërore në vitin 2003.

Nominimi i Steinmeierit për president do të linte një vend vakant në Ministrinë e Jashtme gjermane, aty ku ai udhëheq përpjekjet për të zgjidhur konfliktet në Ukrainë dhe Siri. Zëdhënësi i Merkelit, Steffen Seibert refuzoi të komentonte këtë të hënë mbi një zëvendësim të mundshëm të kryediplomatit gjerman.

Top Channel