Ventura: Seria A të nisë në mes të gushtit

14/11/2016 00:00

Giampiero Ventura ndjek shembullin e Antonio Contes dhe kërkon që sezoni i Serisë A të nisë në mesin e muajit gusht dhe jo në fundin e tij. Tekniku i “axurrëve” e ka bërë këtë apel gjatë konferencës për shtyp në prag të sfidës miqësore që Italia do të luajë ndaj Gjermanisë.

“Kam bërë kërkesë që kampionati të nisë 3 javë përpara nisjes së sfidave kualifikuese, por askush nuk më dëgjoi. Data 13 gusht për nisjen e sezonit është idealja. Është në interesin kombëtar sepse lojtarët nisin të luajnë më herët”, tha Ventura.
 
Trajneri i Italisë e bëri një deklaratë të tillë duke iu referuar ndeshjes me Francën në 1 shtator në Bari, në të cilën italianët humbën 3-1, me teknikun që vuri në dukje diferencat mes skuadrave përsa i  përket formës fizike të lojtarëve. Përveç kësaj, Ventura e kërkon një gjë të tillë në mënyrë që lojtarët e tij të jenë sa më të përgatitur për ndeshjen me Spanjën që do të luhet në 2 shtatorin e vitit të ardhshëm, një ndeshje që mund të vendosë shumë për fatin e grupit kualifikues të Botërorit 2018.

Top Channel