Titulli në F1, ja kombinimet e mundshme

14/11/2016 00:00

Pas përfundimit të një gare të çmendur në Brazil, çështja e titullit botëror për pilotë në Formula 1 do të vendoset në ndalesën e fundit të këtij kampionati, në Abu Dabi.

Rosberg vazhdon të jetë në krye të klasifikimit, por diferenca me Hamiltonin tashmë është shkurtuar në 12 pikë dhe britaniku duhet të shpresojë në një mrekulli të vërtetë për triumfin final. Sistemi i pikëve në Formula 1 është përcaktuar: vendi i parë ka 25 pikë, i dytë 18 e i treti 15. Më pas, duke nisur nga vendi i 4 deri tek i 10, pikët janë 12,10,8,6,4,2,1.

Duke parë këtë situatë, për Rosbergun mjafton që të përfundojë në podium në Abu Dabi për të siguruar titullin e parë kampion bote në karrierë. Rosbergu mund të shpallet kampion edhe me vendin e 4, 5, 6 dhe 7, por duhet të shpresojë që Hamilton të renditet nga vendi i dytë e poshtë. Nëse gjermani renditet në vendin e 8, duhet të shpresojë në një pozicionim të Hamilton nga vendi i tretë e më poshtë. 

Nëse Rosberg e mbyll garën i nënti apo i dhjeti, duhet të shpresojë në një klasifikim të britanikut nga vendi i 4 e më poshtë. Nëse ndodh që Rosbergu nuk do të mbyllë garën, atëherë ai e merr titullin nëse Hamilton nuk shkon më shumë se vendi i pestë.

Akoma më të vështira janë për t’u realizuar kombinimet për Hamiltonin. Duke parë rendimentin e Mercedesit, për britanikun shanset reale duken minimale dhe duhet një mrekulli, ndoshta si ajo e vitit 2008. Për të siguruar titullin e katërt në karrierë, Hamilton duhet të fitojë dhe të shpresojë që Rosberg të mbetet jashtë podiumit ose të shpresojë në një tërheqje nga gara të shokut të tij të skuadrës. Nëse kjo do të ndodhë, Hamiltonit i mjafton vendi i katërt në garë për t’u shpallur sërish kampion i Formulës 1.

Top Channel