Argjentinë-Kolumbi, bardhekaltërve u vlen vetëm fitorja

14/11/2016 00:00

Përfaqësuesja e Argjentinës ka nisur përgatitjet për sfidën me Kolumbinë për eliminatoret e Botërorit 2018. Pas humbjes 3-0 ndaj Brazilit, për skuadrën nënkampione të botës situata është ndërlikuar ndjeshëm dhe rreziku që ajo të mos jetë në Rusi pas 2 vitesh është i madh.

Në përballjen me kolumbianët e Pekerman, opsioni i vetëm për bardhekaltrit për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit është fitorja. Trajneri Edgar Bauza deklaroi se kjo çështje është ende në duart e skuadrës së tij dhe premtoi se për sfidën e së martës do të përmirësojë disa aspekte të lojës së skuadrës.

“Nuk kemi pasur rregullsi në lojë në sfidat e fundit dhe unë mendoj se këtu duhet të përmirësohemi. Ka pasur momente që kemi luajtur mirë, por nuk kemi mundur të marrim maksimumin. Ne duhet të bëjmë më mirë edhe në aspektin e efektivitetit”, tha Bauza.

Argjentina është në vendin e 6 në grupin Amerikano-Latin të kualifikueseve me 16 pikë. Në këtë grup kualifikohen direkt për në fazën finale të Botërorit 4 skuadrat e para, ndërsa ajo e vendit të pestë luan ndeshjen e “playoff”-it me fituesin e zonës së Oqeanisë.

Argjentina e ka fituar 2 herë Kupën e Botës dhe në tre turnetë e fundit ka arritur deri në finale, por pa mundur të fitojë trofeun që i mungon që nga vitet ‘90.

Top Channel