Spektakli qiellor në orën 12:23

14/11/2016 00:00

Sidnej u bë një prej qyteteve të para që shijoi pamjen e hënës më të madhe e më të shndritshme në gati 7 dekada.

Shumë njerëz, kryesisht turistë, u panë teksa ngjiteshin në urën “Sidney Harbour”, për të shijuar më mirë atë që u pagëzua si “superhëna”, e që mbante në ankth spektaktorët me daljen dhe fshehjen mes reve.

Të hënën, hëna e plotë do t’i afrohet Tokës më shumë se çdo herë tjetër që prej vitit 1948, siç bëjnë të ditur astronomët, duke kaluar 348.400 km larg sipërfaqes së planetit tonë, 35.400 km më afër sesa mesatarja.

Distanca e hënës nga Toka ndryshon, pasi ajo gjendet në një orbitë në formë vezore e jo të rrumbullakët. Nëse qielli do të jetë i pastër, hëna do të shfaqet 14 për qind më e madhe dhe 30 për qind më e shndritshme se zakonisht, duke dhuruar një pamje të mrekullueshme sipas NASA-s.

Hera tjetër që një hënë e plotë do t’i afrohet kaq shumë tokës do të jetë në vitin 2034.

Top Channel