Përmbytjet, Tahiri: Opozita bën politikë me fatkeqësitë e natyrës

14/11/2016 00:00

Kërkesën e opozitës për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e quan politikë me kapriçot e natyrës. I pyetur nga Top Channel, ai tha se opozita duhet të bashkohet me qeverinë në ndihmë të qytetarëve që sot kanë nevojë.

“Nuk dua të merrem me opozitën. Opozita e ka bërë zakon që të merret me fatkeqësinë e njerëzve duke bërë politike mbi kapriçot e natyrës. I bëj thirrje opozits nëse ka energji pozitive të bashkohet me ne, për qytetarët që sot kanë nevojën tonë. Bashkë me ne janë bërë shoqëria civile dhe sipërmarrës për t’iu gjetur pranë banorëve të mbytur. Unë besoj që opozita ka mundësi të bashkohet me ne”, tha ministri Tahiri.

Ai ndodhej sot në Fushë Krujë ku u shpërndarë ndihma për familjet e prekura nga përmbytja. Ministri tha se qeveria po monitoron situatën për të parandaluar pasoja të veçanta.

“Ne po bëjmë çmos të evidentojmë të gjithë ata që kanë pasur probleme, zonat e nxehta, t’i gjendemi banorëve pranë dhe t’i mbështseim me të gjitha mundësitë që ka shteti dhe shoqëria sot, sepse është shumë e qartë çdo krizë e përballojmë bashkë.  Të bëjmë investime të tilla që përmbytjet të mos përsëriten. Qeveria është duke monitoruar situatën për të parandaluar pasoja të veçanta, ashtu siç po bëjmë sot, jnë plan të gjerë investimesh për të ardhmen që do të sjellë instrumenta të atillë që të mos përmbyten më në këtë rajon dhe në gjithë Shqipërinë”, tha Tahiri.

Top Channel