NBA, Cleveland e Golden State regjistrojnë fitoret e teta

14/11/2016 00:00

Cleveland Cavaliers vijon me hap të sigurt serinë e fitoreve në NBA. Kampionët në fuqi të ligës më spektakolare të basketbollit në botë mundën Charlotte Hornets me rezultatin 100-93, duke regjistruar suksesin e 8 në 9 ndeshje.

Në “Quicken Loans Arena” diferencën në parket e bëri lojtari i aktivizuar nga stoli Channin Frye, i cili në 25 minuta lojë shënoi 20 pikë. LeBron James e nisi disi i përgjumur ndeshjen, por në periodën e fundit ai shpërtheu, duke shënuar 11 nga 19 pikët e kësaj sfide. Për skuadrën e Charlotte më i miri ishte Kemba Walker me 21 pikë personale të shënuara.

Edhe Golden State Warriors shënoi fitoren e 8 sezonale në NBA. Skuadra e Warriors këtë radhë mposhti Phoenix Suns me rezultatin 133-120 falë Stephen Curry dhe Klay Thompson. Dy yjet e kësaj skuadre ishin të papërmbajtshëm në këtë sfidë, të cilën e mbyllën me 30 pikë secili, ndërsa Kevin Durant u ndal në shifrën e 29 pikëve.

Vijon periudha negative e Oklahomës dhe Denver Nuggets. Skluadra e Thunder këtë radhë u mposht nga Orlando Magic 110-119, ku për skuadrën nga Florida spikati Ibaka, i cili shënoi 31 pikë, duke e ndëshkuar ish-skuadrën e tij. Ndërsa Denver pësoi disfatën e 4 radhazi pasi u mposht edhe nga Portland Trail Blazers105-112, duke shënuar një bilanc me 3 fitore dhe 7 humbje.

Top Channel