Bullgari e Moldavi, triumfojnë presidentët prorusë. Dorëhiqet kryeministri Borisov

14/11/2016 00:00

Zgjedhja e ish-gjenerali Rumen Radew, si president i ri i Bullgarisë, kërcënon të sjellë një destabilizim të ri në kufirin e brishtë mes Turqisë dhe Europës së tronditur nga krizat. Kjo, jo vetëm sepse ai është mik i Rusisë, por edhe sepse vendi do të jetë praktikisht pa qeveri në muajt e ardhshëm.

Problemi qëndron më shumë në faktin se, me zgjedhjen e tij vjen një president pa përvojë, i orientuar nga nacionalizmi, i cili deri më tani nuk ka lënë ndonjë përshtypje të madhe politikisht.

Qeveria e pakicës e kryeministrit Boiko Borisov, partia “GERB” e të cilit është pjesë e Partisë Popullore Europiane, ka dhënë dorëheqjen, sepse kandidatja e tyre Zezka Zatsheva u mund me diferencë të dukshme në zgjedhje.

Borisov kishte përmendur që më parë se do të jepte dorëheqjen nëse nuk fitonte Zatsheva, e me këtë ai donte të mobilizonte votuesit, por siç u pa, këto truke nuk arritën të kompensonin dot mungesën e popullaritetit dhe ideve të kandidates së përkrahur prej tij.

Presidenti në largim, Rosen Plevneliev pritet të kryesojë negociatat për formimin e një qeverie “kujdestare”, ndërsa zgjedhjet e parakohshme priten jo më vonë sesa marsi i vitit që vjen.

Ekspertët perëndimorë paralajmëruan më herët se zgjedhja e mundshme e Rumen Radew do të nënkuptonte ndjekjen e një politike proruse. Kjo përshtypje është krijuar pasi, ish-gjenerali është kandidat i Partisë Socialiste, tradicionalisht proruse, dhe sepse ai praktikisht e ka njohur aneksimin e Krimesë.

Deklaratat naive të ish-gjeneralit për përkatësinë e Krimesë te Rusia dhe nevojën e heqjes së sanksioneve mund të shpjegohen vetëm me mungesën e përvojës politike. Ata që e njohin mirë, pretendojnë se Radew, dikur gjeneral i NATO-s i shkolluar në SHBA dhe që flet mirë anglisht, gjermanisht dhe rusisht, nuk ka asnjë plan për të ndërruar kursin e Bullgarisë, një vend anëtar i NATO-s.

Por ai nuk do të jetë presidenti i vetëm që mund të ndjekë një axhendë pro Moskës. Edhe zgjedhjet në Moldavi rezultuan gjithashtu me fitoren e një kandidati prorus, Igor Dodon, i cili fitoi në raundin e dytë. Dodon, që kërkon rivendosjen e marrëdhënieve të ngushta me Moskën, siguroi 52.37 për qind të votave, kundrejt 47.63 për qind të kandidates proeuropiane Maia Sandu.

Top Channel