Zelanda e Re, në panik nga lëkundjet. Viktima e dëme materiale

14/11/2016 00:00

Një tjetër tërmet me magnitudë 6.3 goditi ishullin jugor të Zelandës së Re. Lëkundja u regjistrua në 13:45 me orën lokale, në thellësinë prej 10 km në verilindje të Christchurch, ashtu si tërmeti me magnitudë 7.5 që goditi të njëjtën zonë pak pas mesnatës, duke nxitur edhe alarmet për tsunami.

Një lum i madh i prekur nga rrëshqitja e dheut ka dalë nga shtrati, duke përmbytur zonat e afërta. Banorët që jetojnë atje u urdhëruan të zhvendoseshin menjëherë në zona më të larta. Tërmeti i parë u pasua nga qindra lëkundje të tjera, duke sjellë ndërprerje të energjisë elektrike dhe ujit të pijshëm.

“Gov net”, një projekt i financuar nga qeveria që monitoron tërmetet, paralajmëroi se lëkundjet e tokës mund të vazhdojnë për disa muaj. Autoritetet u mobilizuan për evakuimin e banorëve përgjatë bregdetit lindor dhe, sipas mediave, një 100-vjeçare e gruaja e djalit të saj u nxorën të gjalla nga rrënojat e shtëpisë së tyre në qytezën e Kaikouras.

Nuk pati të njëjtin fat bashkëshorti i gruas më të re, i cili humbi jetën. Një tjetër viktimë u shënua në malin Lyford, në jugperëndim të Kaikouras. Dallgë mbi 2 metra të larta u përplasen në breg, 2 orë pas tërmetit të parë. Autoritetet e hoqën më pas alarmin për tsunami, por paralajmëruan qytetarët të qëndronin larg bregut.

Banorët e Christchurch dhe qytezave të afërta nxituan të grumbullonin produkte bazë dhe disa shkolla të prekura në zonë qëndruan të mbyllura. Kryeministri John Key u tha gazetarëve se besonte që numri i viktimave do të mbetej i ulët, ndërsa sipas ministrit të Mbrojtjes Civile, Gerry Brownlee, dëmet në infrastrukturë duket të jenë problemi më i madh.

Top Channel