Grupi i “Bataclanit” përkujton viktimat e 13 nëntorit

13/11/2016 00:00

U bënë dëshmitarë të një kasaphane më 13 nëntor të 2015-s, kur ata që ishin mbledhur për të ndjekur koncertin e tyre, u vunë në shënjestër të breshërisë së plumbave që u morën jetën 90 personave.

Një vit më vonë “Eeagles of Death Metal”, grupi kalifornian që po këndonte në sallën e koncerteve të “Bataclanit”, ku mori jetë më i rëndi i sulmeve që tronditën Parisin atë të premte të zezë, u rikthye në kryeqytetin francez për t’i bërë homazh viktimave.

Pjesëtarët e bandes ishin të pranishëm në një ceremoni të organizuar në distriktin e 11 nga një shoqatë e krijuar për viktimat e sulmeve, e quajtur “Jetë për Parisin”. Lideri i grupit, Jesse Hughes, u shpreh i prekur nga ceremonia.

“Ky qytet përfaqëson shembullin më të mirë se si mund të reagosh ndaj diçkaje të tmerrshme. Që në momentin kur plumbat nisën të fluturonin ky vend u kujdes për ne dhe unë dua që të gjithë ta dinë se sa e duam këtë vend”, tha ai.
 
Hughes mori pjesë edhe në koncertin e Stingut, që shënoi rihapjen e “Bataclanit” ditën e shtunë. Më herët drejtori i sallës, Jules Frutos, tha për median franceze se nuk e kishte ftuar grupin në “Bataclan”, për shkak të akuzave që kishte bërë Hughes për mungesën e sigurisë atje.

Lideri i grupit “rock” u shpreh në një rast se rojet e sigurisë në sallën e famshme të koncerteve mund të kenë qenë në dijeni të asaj që do të ndodhte, por më vonë kërkoi ndjesë për sugjerimet, duke u justifikuar se i kishte thënë si rezultat i stresit.

Bashkia në distriktin e 11 të Parisit u zgjodh për ceremoninë përkujtimore sepse punonjësit e ndihmës së shpejtë dhe të mbijetuarit kërkuan strehim atje pasi personat e armatosur sulmuan baret dhe kafenetë aty pranë.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel